Librat që mund t’i merrni në plazh sipas gazetarëve të Portalbit

Askush në pushime nuk shkon për të lexuar, por sërish askush nuk niset pa një libër, duke pasur parasysh që jo gjithë kohës mund të rrish e të lahesh në det. Disa marrin libra për të bërë foto artistike, disa janë librofilë që s’ bëjnë dot pa një libër. Por, secili nga ne “Portalbistët” ashtu siç edhe ju mbase, keni pasur të paktën një përvojë kur e keni marrë librin e gabuar në plazh dhe më pas i keni kushtuar më shumë rëndësi gjetjes së librit që ia vlen ta marrësh me vete. Me që vera sjellë periudhën kur trupi do pushimin ashtu si edhe mendja, kujdesuni që në plazh të shkoni me një autor ” të njohur” nëse nuk i keni qejf ”surprizat”. Rimbushja e trupit me vitaminën ‘’d’’, energji të reja fizike, duhet shoqëruar edhe me një përkujdes të ‘’ushqimit’’ mental duke u kushtuar në radhë të parë rëndësi librave për ngritjen shpirtërore. Kështu, detoksifikojmë edhe trupin edhe mendjen.

Mbushuni me dashuri me librin me letrat më të bukura të shkruara ndonjëherë  “Letra dashurie të burrave të mëdhenj” .  Çka i shkruante Balzaku Hanskës, Bonaparta Josefinës, Pushkini Pumës së tij , Moxarti Konstancës e Tolstoi Sofisë?! ( ky libër nuk rekomandohet nëse pushimet i bëni në çift dhe partneri juaj nuk është romantik)

“Kush di të dashurojë është i lumtur” Herman Hesse. Tregime të bukura siç veç dora e këtij autori i sjellë nën një dritë mjeshtërore.

“Si të jesh parisiane kudo që jeton”  katër franceze që flasin për mënyrën e jetesës së grave parisiane lidhur me çka flasin, si vishen, çka hanë, si jetojnë. Femra të mahnitshme që të mësojnë klasin.

Pa dashje më erdhën dy libra të cilët mund të ngjallin më shumë interes për femrat, sesa meshkujt. Por, e kam dhe një për meshkuj ” Çka do kishin dashur gratë, që burrat e tyre të dinë për gratë”, ose ” Çka duan gratë” ,një psikoterapeut që e ka sfiduar Frojdin i cili nuk arriti t’i jepte përgjigje kësaj pyetjeje.

Ja dhe rekomandime tjera nga kënvështrime të ndryshme lexuesish, duke filluar nga drejtuesja e deri te gazetarët e  Portalbit.

Elida Zylbeari, kryeredaktore
Elida Zylbeari, kryeredaktore

“Kohë për të jetuar kohë për të vdekur”. Me gjithë atë të ftohtë në libër dhe me tregimin tepër interesant, të freskon në ditët e nxehta verore.

“Meditime” nga Markus Aurelius. Një udhërrëfyes i përsosur për një jetë të mirë. Melhem për shpirtin.

“Ishulli i pemëve të zhdukura”, nga Elif Shafak. Gjithnjë kënaqësi të lexosh tregimet e saj për dashurinë dhe fatet njerëzore.

Ka ndodhur që kam marrë librin ” e gabuar”  dhe nuk kishte ndjenjë më dëshpëruese, një libër pa ndjenja dhe një tentativë për krijim të diçkaje të kopjuar. Madje shkruante se e ka shkruar një fitues i çmimit Nobel, që ende më shumë më irritoi. Një ” libër plazhi” duhet të ketë aftësinë që lehtësisht të të dërgojë dhe të të mbajë aty, në vendin e ngjarjes. Të harrosh të lahesh e rrezitesh.

Është e rëndësishme ta kesh librin e duhur me vete, sepse në plazh s’ka si duron ndryshe. Sikur kremi kundër diellit, pa të as që shkon në plazh.

 

Suad Bajrami, kolumna/profil, editorial, shkrim
Suad Bajrami, redaktor

 

Çdo herë kur bëhet fjalë për “libra plazhi”, preferencat e mia anojnë nga përmbledhjet me poezi. Në këtë rast, do t’i rekomandoja “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i Zemrës” nga gjigandi Lasgush Poradeci. Gjithashtu, e rekomandoj dhe “Heshtje s’ka” nga kolosi Xhevahir Spahiu dhe poezi të përzgjedhura nga Jasques Prevert, por edhe Sergey Esenin.

Kur flasim për libra të preferuar, besoj që s’ka shqiptar që mes të preferuarve, të mos ketë ndonjë brilant nga Ismail Kadareja. Do ta veçoja “Prillin e thyer”, një roman i shkruar për një prej pikave më të dhimbshme të kombit shqiptar, që ka të bëjë me gjakmarrjen dhe jetesën mes jetës dhe vdekjes, nga prizmi i Kanunit dorëhekurt.

“Unë jam e kuqja” nga shkrimtari turk, Orhan Pamuk, gjithashtu do të ishte një zgjedhje e mirë. Ky roman i cili e dekoroi shkrimtarin me çmimin “Nobel”, mbase do t’i përmbushte kërkesat e adhuruesve të zhanreve mister dhe psikologjik. Një libër mjaft interesant, i cili çon në kohën e Sulltan Muratit të Tretë të Perandorisë Osmane, i cili angazhon disa miniaturistë për të përgatitur një libër për një të plotpushtetshëm nga Perëndimi. Libri përcillet nga linja e një vrasjeje misterioze, dashurisë dhe artin mes lindjes dhe perëndimit.

 

Teuta Buçi, gazetare
Teuta Buçi, gazetare

Edhe pse stina e verës nuk është një periudhë shumë produktive për lexuesit e rregullt, duke pasur parasysh temperaturat e larta, të cilat ndonjëherë e pamundësojnë koncentrimin, megjithatë valixhja e pushimeve verore nuk është e plotë pa ndonjë libër në të.

Nisur nga fakti që, ditët në plazh, mundohemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht për t’u çlodhur nga përditshmëria dhe angazhimet rutinore që na ndjekin gjatë vitit, unë do të rekomandoja që në plazh të përcaktoheni për libra më relaksues. Si tituj që do ta rekomandoja për në plazh është romani “Zahiri” nga Paulo Cuelho. Një histori dashurie mes një shkrimtari të famshëm dhe një gazetareje – korrespodente lufte. Romani nis me braktisjen e shkrimtarit nga e dashura gazetare pa lënë asnjë gjurmë dhe gjatë gjithë historisë ai vihet në kërkim të saj, deri në përhumbje…

Një roman tjetër që lexohet me një frymë dhe të rrëmben me magjinë e tij, është trilogjia “Milenium” e shkrimtarit suedez Stieg Larsson, dhe “që përbëhet nga tre romanet “Burrat që urrejnë gratë”, Vajza që trazoi folenë e grerëzave” dhe “Vajza që luante me zjarrin”. Është një trilogji e zhanrit triler, që flet për urrejtjen, grindjet familjare dhe hakmarrjen brenda një familje të pasur suedeze. Për personat të cilët nuk preferojnë të lexojmë romane, do ta kisha rekomanduar librin psikologjik “Rruga në të cilën rrallë shkohet” nga psikoanalisti Scott Peck, i cili jep këshilla se si të merren vendimet e rëndësishme në jetë.

 

Faton Curri , gazetar
Faton Curri , gazetar

Pandemia, si robëria, na mundëson të kuptojmë rëndësinë e lirisë. Derisa liria na mundëson të bëjmë edhe gjëra të këqija, e robëria nuk na mundëson të bëjmë as gjëra të mira, e kuptojmë se njeriu duhet të di rëndësinë e lirisë dhe robërisë. Mësojmë se njeriu duhet të jeton me ca robëri e ca liri, që të kemi sa më pak vese në shoqëri.

Përmes jetës private me plot “sekrete”, Agim Vinca në librin “Ditari i pandemisë” i jep pikëpamjet për shumë dimensione të shoqërisë. Për ta kuptuar me nxitim më së miri shoqërinë ku jetojmë, është e nevojshme të lexojmë “41 sekretet” e Ben Blushit, të fshehura në 41 intervistat e tij me 41 personazhe.

Në të dy librat gjejmë figura reale, jo të trilluara, të njohura në shoqëri, duke krijuar laramani të personaliteteve. Të dy librat tregojnë shumëngjyrat e jetës dhe shoqërisë. Aty shfaqet mozaiku i shoqërisë, që me apo pa vetëdije takohemi çdo ditë. Libër që nuk do ta kisha rekomanduar për ditë plazhi është “Merimanga e Sarajevës”, ku kërkohet një përqendrim i madh për të përcjellë dhe mbajtur mend çdo detaj, çdo rrugë dhe pikë në rrjetin e komplikuar të merimangës ballkanike.

Libri në plazh duhet të vazhdohet, jo të fillohet. Nuk duhet doemos që në ditën e parë te fillojmë me faqen e parë. Për në plazh preferohen libra që nuk kërkojnë përqendrim të madh, kërkojnë laramani të temave, e mundësisht mos të ketë nevojë të mbahet mend personazhi nga fillimi deri në fund të librit.

 

Fisnik Xhelili , gazetar dhe moderator
Fisnik Xhelili , gazetar dhe moderator

Të them të drejtën, asnjëherë nuk i kam kategorizuar librat në bazë të stinës, çdo vit bëj një listë të librave të cilët vendos t’i lexoj atë vit dhe pastaj i lexoj si u vjen radha, duke futur ndonjë titull të ri aty-këtu. Megjithatë, titujt që kam veçuar për këtë periudhë verore për të lexuar  janë disa, të cilat do i ndaja me gjithë lexuesit tanë, por pa u dhënë shumë detaje, po i lë t’i eksplorojnë vetë.

Titulli i parë është nga autorja Lea Ypi –  “Të lirë” të cilin po e lexoj aktualisht. Mendoj se është një libër të cilin duhet ta lexojë çdo njëri nga ne, pasi aty është një histori e popullit tonë. Madje në plazh dhe det shkojmë për të gjetur atë lirinë shpirtërore dhe mendore, të ndajmë edhe pak kohë për “lirinë” e Leas të shohim se si e percepton ajo lirinë në këtë libër.

I dyti, që do rekomandoja është libri i autores tonë nga Kërçova, Nurie Emrullait – “Duhet të jetë dashuri”, libër ky fitues i çmimit Kadare për vitin 2023 të cilin sapo e kam filluar ta lexoj. Me që jemi këtu, edhe ky roman nuk do duhej anashkaluar, pasi i njëjti na paraqet një dritare të re të romanit në gjuhën shqipe.

I treti, “Ishulli i pemëve të zhdukura” nga Elif Shafak, këtë titull nuk e kam lexuar ende, por marrë parasysh se Elif Shafak si autore nuk më ka zhgënjyer deri tani në disa vepra të saj që kam lexuar, shtuar këtu edhe faktin që ky titull konsiderohet si një nga veprat më të mira të saj, nuk na ngelet hapësirë për dyshim se ky do ishte zgjedhje e gabuar për këtë verë. Librin e gabuar nuk mund të them se e kam marrë ndonjëherë pasi sipas meje nuk ka libër të gabuar, ka libra të mirë dhe më pak të mirë, por që në fund të ditës ndonjëherë edhe nga këta më pak të mirët mund të nxjerrim mësime më të mëdha se nga ata më të mirët. Mendoj se librat e plazhit duhet të jenë jo shumë “të rëndë” në përmbajtje dhe “vështirë” të lexueshëm, por këtu të jenë pak më relaksues dhe të lehtë, që në këtë rast do ishin romanet, por kjo prapë ngelet te shijet individuale të çdonjërit.

 

Shefkije Alasani, gazetare
Shefkije Alasani, gazetare

Çdo verë ka historinë e saj dhe jo gjithmonë libra ideal për tu lexuar në plazh janë libra të një zhanri të njëjtë. “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur” e romancierit gjerman, Erich Maria Remarque është një nga shumë librat që e kam shijuar duke e lexuar gjatë ditëve në plazh. Romanet që rrëfejnë një histori dashurie janë gjithmonë të këndshme për tu lexuar gjatë ditëve të verës. Më kujtohet që një vere u fiksova me romanet e Danielle Steel. Një tjetër libër që më ka bërë të zhytem kokë e këmbë në historinë që rrëfente është “Bastardja e Stambollit” nga Elif Shafak. Për mendimin tim dhe libri “Alef” nga Paulo Cohelo është një libër veror.

Më ka ndodhur të zgjedh librin e gabuar për ta lexuar gjatë verës. Gjatë periudhës që isha studente vendosa që një verë të përkushtohem dhe të lexoj sa më shumë tituj librash profesional. Definitivisht ishte gabim. Ajo që e bënë të veçantë verën është pikërisht shkëputja nga realiteti dhe monotonia e përditshme dhe ku ka më mirë që këtë periudhë ta shijojmë duke u arratisur në faqe librash me histori e personazhe nga më të ndryshmet. Gjithsesi, atë verë derisa isha në pushime bleva një libër pa ndonjë pritshmëri dhe që në fund u mahnita me historinë dhe autorin. Bëhet fjalë për librin “Diabulus” nga Dan Brown, një libër mister dhe fant-shkencë e shkruar me shumë mjeshtëri nga autori. Ishte koha kur interneti dhe rrjetet sociale nuk ishin dhe aq të popullarizuara dhe njohuritë për diversitetin e librave dhe të autorëve i kishim më të limituara. Që nga ai moment Dan Brown u bë një nga shkrimtarët e mi të preferuar dhe jo vetëm që i kam lexuar të gjitha librat e tij por mezi pres të botohen tituj të ri nga ai.

Mendoj që nuk mundet të përkufizohen kritere specifike se si duhet të jetë një libër. Gjithçka varet nga shija e lexuesit dhe ndonjëherë edhe nga disponimi apo gjendja emocionale.

Është e rëndësishme të kesh librin e duhur se leximi ta ushqen shpirtin. Përderisa ti lexon një libër, jeton brenda faqeve të atij libri, pra përjeton emocione të ndryshme, harxhon kohë dhe investon. Prandaj në fund të ditës dëshiron që gjithë ai përkushtim t’ia vlejë dhe të përfundojë me një ndjenjë utopike.