Lëvizja Besa akuzon Qeverinë se me Ballkanin e Hapur janë duke kahëzuar vendin drejt interesave serbo-ruse (Video)

Udhëheqësi i BDI-së, bashkë me Qeverinë ua kanë borxh qytetarëve që t’u përgjigjen publikisht nëse janë: Me SHBA-në dhe BE-në ose – Serbinë dhe Rusinë?. Kështu kanë reaguar sot nga partia opozitare Lëvizja Besa, të cilët vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e RMV-së në Ballkanin e Hapur,  transmeton Portalb.mk.

Nga kjo parti thonë se çdo ditë e më tepër Qeveria LSDM-BDI-së, për shkak të krimit të organizuar dhe raporteve vëllazërore me Serbinë dhe Rusinë është duke prishur marrëdhëniet deri në masën e armiqësisë me popullin dhe partnerët strategjik të SHBA-së dhe BE-së.

“Për interesa të ngushta personale, grupore dhe partiake, udhëheqësi i BDI-së, bashkë me si-vëllaun Dimitar Kovaçevski, përmes projekteve antikombëtare të llojit “Ballkani i Hapur” dhe krimit të organizuar janë duke kahëzuar vendin drejt interesave serbo-ruse, të cilat në masë trishtuese janë duke devijuar nga rrugëtimi euro-integrues dhe politikat strategjike të SHBA-së, të krijuara në tre dekadat e fundit mbi Ballkanin dhe të ardhmen tonë”, tha Fatmir Limani, nënkryetar i Lëvizjes Besa.

Ata i bënë thirrje Uashingtonit dhe Brukselit që të jenë më të ashpër në raport me porositë drejtuar qeverisë, për të hequr dorë nga korrupsioni.

“Duhet theksuar edhe qëndrimin e Ministrit të Jashtëm të Rusisë-Sergej Llavrov, në lidhje me Projektin e ”Ballkanit të Hapur”, të cilin e pranoi si iniciativë e Serbisë, ndërkohë që Dimitar Kovaçevski pa hamendje deklaroi se nuk do të ndryshojnë qëndrimin për të mbetur besnik i Serbisë në realizim të projektit të këtillë me prapavijë të nostalgjisë jugosllave”, tha Limani.

Mes tjerash theksuan se Qeveria përgatit terrenin për rikthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bashkë me Shqipërinë janë bashkëthemeluese të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur“, me të cilin synohet të përmirësohet liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Përveç Kosovës, edhe Mali i Zi dhe Bosnja nuk janë pjesë e saj. Ky proces u krijua në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve dhe institucioneve anëtare të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shoqërisë civile dhe bizneseve në rajon.