Kur çlirimtarët gjykohen dhe historia vihet në bankën e të akuzuarve
Shkruan: Zilal Shabani
Sot po përballemi me një padrejtësi të madhe historike. Po tentohet të paraqitet si “krim” vetë organizimi i rezistencës për çlirimin e Kosovës. Po gjykohen njerëzit që hynë në Kosovë për ta formuar UÇK-në dhe për ta çliruar vendin nga një regjim që shqiptarëve ua kishte marrë çdo të drejtë.
Le ta kujtojmë të vërtetën.
Regjimi i Slobodan Millosheviqit:
- ua hoqi shqiptarëve të drejtat politike e civile,
- i përjashtoi nga institucionet,
- mbylli shkollat dhe universitetet,
- i shndërroi në qytetarë të rendit të dytë,
- dhe i la në mëshirë të dhunës shtetërore.
Në këtë realitet, rezistenca nuk ishte zgjedhje luksi – ishte domosdoshmëri. Lufta për liri nuk mund të trajtohet si krim ordiner. Të barazosh përpjekjen për çlirim me shtypjen sistematike do të thotë të barazosh viktimën me agresorin.
Politike brenda Kosovës
Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është heshtja dhe përçarja politike brenda Kosovës. Në vend të unitetit institucional, kemi deklarata të pamatura dhe qëndrime që shpesh japin përshtypjen se UÇK-ja po lihet pa mbështetje morale nga vetë shteti që doli nga ajo luftë.
Deklarata të mëhershme të disa figurave politike, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ku janë përmendur akuza të rënda ndaj shqiptarëve lidhur me krime të supozuara, janë përdorur ndërkombëtarisht për të ndërtuar narrativa të dëmshme. Edhe pse shumë prej këtyre pretendimeve nuk janë provuar, dëmi politik ka mbetur.
Po ashtu, qëndrimet publike të disa zyrtarëve të lartë, përfshirë deklarimet e Donika Gërvallës në të kaluarën lidhur me dërgimin e materialeve në Hagë, kanë krijuar perceptimin se brenda vetë institucioneve të Kosovës nuk ka një qëndrim unik në mbrojtje të luftës çlirimtare. Kjo është shqetësuese.
Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e tjera kanë përgjegjësi morale dhe shtetërore që të reagojnë kur perceptohet tejkalim i mandatit apo njëanshmëri në trajtimin e luftës së Kosovës. Kjo nuk do të ishte ndërhyrje në drejtësi, por qëndrim institucional në mbrojtje të historisë dhe legjitimitetit të shtetit.
Sot kërkohen dënime drakonike – 180 vjet burg për katër persona. Kjo nuk është vetëm çështje individuale. Kjo është çështje e narrativës historike të shtetit të Kosovës.
Nëse lufta e UÇK-së kriminalizohet, atëherë vihet në pikëpyetje vetë themeli mbi të cilin është ndërtuar Republika e Kosovës.
Mos ta harrojmë: UÇK-ja nuk ishin vetëm ata që morën armët. UÇK ishte populli. Ishin familjet që strehuan, që ushqyen, që sakrifikuan gjithçka. Ishte një ideal kolektiv për liri dhe pavarësi.
Forca që e mbajti UÇK-në në këmbë ishte ideali për një Kosovë të lirë dhe demokratike. Pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 ishte fryt i atij ideali dhe i asaj sakrifice.
Sot mund të ketë procese gjyqësore. Mund të ketë aktakuza. Por historia e Kosovës nuk fillon në Hagë dhe nuk mbaron aty. Ajo është shkruar nga një popull që refuzoi të jetojë në robëri.
Bindja e shumë qytetarëve është e qartë: lufta për liri ishte e drejtë. Dhe e drejta historike nuk zhbëhet me aktakuza.