KULTURA E (VETË)PËLQIMIT

 

“Njeriu që ngujohet tek vetja, është i gjykuar të konsumohet, të tretet në vetvete.”                                                                                                                                                      Ibrahim Kalın

“Like kultura”, kultura e pëlqimit apo thënë më mirë kultura e vetëpëlqimit dhe e tentimit për t’u bërë i pëlqyer nga të tjerët është pjesë e shoqërisë së hiper-spektaklit, e informacionit të banalizuar, e rrjeteve sociale ku të gjithë jemi “të detyruar” të ndjekim trendin “ku asgjë nuk vlen përderisa nuk postohet dhe nuk arrin së paku 300 like.” (tovaleigh.com) Ky është një lloj obsesioni me të cilin preokupohemi tepër dhe që na bën që vazhdimisht të merremi me gjëra terciare, sipërfaqësore, trivialitete, madje edhe çmenduri, në vend të vlerave të mirëfillta dhe substanciale. Ky vetëperceptim i cekët na e përkujton narcisin dhe narcisoditetin si pikëpamje egocentrike, kur vetja bëhet obsesion.

Në mezokohën kur duam të kalojmë nga obligimet akademike dhe leximet e çdoditshme në një mode më fleksibël, shpesh shikojmë filma, video-ligjërata të mendimtarëve, figurave relevante të dijes dhe shkencës. Këtë radhë ndoqëm një ligjëratë rreth 20-minutëshe, nga produksioni i mirënjohur TED Talks, të autorit I. Kalın që mban titullin e “Kultura e pëlqimit”. Në vazhdim me disa ndajshtesa do të japim fjalimin mbresëlënës me elemente të vështrimit psikologjik, filozofik, antropologjik, të këtij filozofi të cilin lexuesi shqiptar e njeh edhe me librat “Unë, tjetri dhe përtej”, “Arsyeja dhe virtyti”, “Barbarë, modernë, të qytetëruar” e të tjerë të botuara nga Logos-A:

… Narcisi (Narkisos), një figurë nga mitologjia greke, një mashkull jashtëzakonisht i pashëm dhe i vetëpëlqyer, të cilin as nimfa e bukur malore, Echo, që pushtonte zemrën e çdokujt që ia hidhte sytë, nuk mundi ta largonte nga vetë-admirimi. Echo, ngaqë nuk arriti dashurinë që e ëndërronte, u sëmur dhe vdiq. Narcisi u ndëshkua nga qielli: u dashurua te imazhi, te hija e vet e reflektuar në një pellg uji, dashuri kjo pa karshillëk që ia mori jetën. Aty ku ra ai, mbiu një lule, nergisi, me brendësinë e verdhë dhe fletët e bardha, kokëteposhtë, që simbolizon modestinë. Ky është rrëfimi i rishfaqjes së Narcisist – të dashuruar skajshmërisht te vetja – në formë të një luleje të ndjeshme që njihet si lulja e nuses, lulja e dashurisë.

Problemi i Narcisit grek, sikurse i shumë njerëzve pargjatë historisë dhe sot, ishte absolutizimi i vetes, mosparja e asnjë bukurie tjetër jashtë vetes, që sot në psikologji quhet çrregullimi narcistik i personalitetit (ÇNP). Personat me qasje të tillë janë palumtur, të deprimuar. Njeriu është njeri vetëm duke krijuar afërsi me Zotin, universin, njerëzit. Vetëpëlqimi është uri për pëlqim nga të tjerët. Njeriu është qenie që te e vërteta mund të arrijë për aq sa mund ta kapërceje veten, egon dhe pasionet e veta. Fara hidhet në tokë që të shpërthejë, e më pas të ngritet drejt qiellit. Pra del jashtë, duhet të jetë në kontakt me një entitet tjetër që të jetë produktive, përndryshe tkurret, thahet dhe askush s’ka dobi prej saj. Edhe njeriu nëse mbyllet në vetëvete, sterilizohet, s’ka dobi prej tij nga është zoon politicon (Aristoteli), për nga natyra është i civilizuar (Ibn Khalduni).

Nga koha e kartezianizmit njeriu e vendosi veten në epiqendër të botës, e shpalli veten zot, zotëri, zotërues të saj. Sipas Kalın-it, kur njeriu krijon një lidhje afërsie, intimiteti me botën, me gjithësinë, shndërrohet në mbrojtës të saj, bashkëudhëtar të saj. Përderisa ka këtë ndjesi, bota e qenies, e natyrës, nis të flasë me të dhe njeriu merr vesh se dëgjimi, të ndierit nuk ndodhin vetëm në saje të veshit fizik, por edhe nëpërmjet arsyes, intuitës, zemrës, imagjinatës, kupton se të ndierit realizohet nëpërmjet të gjitha aftësive konjitive të tij. Shprehja e Sokratit se “di që nuk di asgjë” është një rebelim, klithmë kundruall pohimit të sofistëve që e vinin veten në qendër të universit. Kjo është një ironi e përtej. Ai mbron fismërinë, shenjtërinë e dijes. “Ajo që dini ju nuk është dije, por të dhëna, informacione” – donte të thotë. Ai i referohej thënies “Gnothi seauton!” ( Γνῶθι σαυτόν), njihe vetëveten. Gnosis, “jnana” në sansksritishte do të thotë dije, njohuri ose mençuri, të dish diçka në mënyrë urtare (e kundërta: “ajnana”, perceptimi i gabuar i realitetit). T’i kuptosh gjërat në thellësi, në thelbin dhe vërtetësinë e tyre, përtej epistemes, në mënyrë gnostike, urtësisht (tr. arifane), përtej të dhënave të thjeshta, të dish vendin tënd në mesin e kozmosit. Të dish esencën, frymën, identitetin, kushësinë (Përgjigjen në pyetjen kush je ti?), vetvetësinë tënde. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.