“Kujtesa për Skënderbeun” do të evokohet sonte në Tetovë nga koleksionistja Patricia Nugee

Sonte, e mërkurë (29 maj), në orën 19:00 tek objekti i ish-Radio Tetovës do të shpalosen libra të vjetër për Skenderbeun të cilët i ka koleksionuar me shumë pasion koleksionistja londineze Patricia Nugee, njofton Portalb.mk.

Afishe e ngjarjes
Afishe e ngjarjes

Nugee nuk flet për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, pasi ajo nuk është historiane, por thjeshtë një koleksioniste e pasionuar për librat që kanë shkruar autorë të vjetër shqiptarë, italianë, spanjollë, portugezë, gjermanë, anglezë, francezë etj, qofshin ata historianë, shkrimtarë, filozofë apo publicistë të kohës, të cilët i ka tërhequr figura dhe epoka e tij.

Emrin e Skënderbeut, Nugee e ka hasur derisa ka qenë duke punuar në një librari antike në Londër kur një lexues ka kërkuar një libër për Skënderbeun. As që kishte dëgjuar më herët për Skënderbeun.  Kështu më pas nga njohja e saj me këtë figurë, ishte vazhdimisht në kërkim të librave që janë shkruar për jetën e tij. Në antikuaret nëpër botë, ka mbi tridhjetë vjet që ajo ka blerë libra të vjetër, të lirë, të shtrenjtë dhe shumë të shtrenjtë për Skënderbeun. Tash në koleksionin e saj i ka 37 libra të vjetër për Skënderbeun.

Emrat e autorëve që ka janë: Marin Barleti, që është dhe vepra më e vjetër në botë e shkruar për Skënberbeun, 1510; Frang Bardhi origjinal me ‘Fjalorin’ e vitit 1635; Jean Nicolas Duponcet, ‘Historia e Skënderbeut, mbret i Shqipërisë’, 1709; Giovanni Maria Biemi me ‘Historia e Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbe’, 1742; ‘Ritrati et logi di capitani illustri’, Giulio Rosio, 1646; ‘Scanderbeg: or love and liberty’, Thomas Whincap, 1747; Jean de Bussieres me ‘Scanderbeg, poem’, 1656-1658; një vepër nga Andrea Gambini, 1652…” e shumë të tjera.

Koleksionistja londineze e librave antikë për Skënderbeun, gjatë ekspozitave të mëparshme nuk ka kërkuar asnjë cent kompensim ose ndonjë shpërblim tjetër, pos mirënjohjes së shqiptarëve për këtë vepër të saj.  Ajo vazhdon të ekspozojë veprat e rralla me shumë kujdes nëpër botën shqiptare dhe jo vetëm.  Ekspozita e saj është shfaqur në Tiranë, Prishtinë e deri në Amerikë në lobet shqiptare. Është dekoruar e shpërblyer për punën që ka bërë.

Sonte e apasionuara me Skënderbeun do të qëndroj në Tetovë me librat e rrallë të saj që përbejnë një pasuri të vërtetë.

Kjo vizitë  është bërë falë  bashkëpunimit të Komunës së Tetovës me Fondacionin Hasan Prishtina, Universiteti UBT dhe Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike.