Kuajt përsëri kullotin në Skejtparkun e Tetovës, NPK tre javë nuk e ka kositur barin (VIDEO)

Disa kuaj sot përsëri janë lënë për të kullotur në Skejtparkun e Tetovës, bari nuk është kositur tre javë prej kur Portalb.mk raportoi për problemin e njëjtë në këtë park.

Në redaksinë e Portalb.mk arritën ankesa se në Skejtpark përsëri janë lënë disa kuaj për të kullotur. Portalb.mk ishte atje dhe verifikoi se atje ishin katër kuaj, ndërkaq pronari nuk ishte aty.

Bari mbetet i pakositur për tre javë. Nga NPK-ja heshtën në pyetjet e Portalb.mk për këtë problem deri në publikimin e këtij artikulli.

12 korrik, Portalb.mk raportoi pikërisht për këtë problem ku një grup më i madh kuajsh ishte lënë të kullosnin, më pas kuajt u larguan dhe bari u kosit.

Ndryshe, Skejtparku u realizua para rreth pesë viteve nga 45 vullnetarë të organizatës joqeveritare Toestand nga Belgjika, diku 20 nga organizata joqeveritare Termokiss nga Kosova si dhe vullnetarë të organizatës joqeveritare Democracy Lab nga Tetova. Ky park vazhdimisht ka qenë i lënë pas dore nga autoritetet pa përkujdesje, ndërsa Social Cultural Space Tetova,  vazhdimisht ka bërë thirrje për mirëmbajte të kësaj hapësire, madje edhe vetë kanë ndihmuar në pastrimin e sajPër këtë problem Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.