Kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës u zgjodh Naim Ismaili

Këshilli i Komunës së Tetovës zgjodhi Naim Ismailin për kryetar të ri. Pro votuan 19 këshilltarë, 11 abstenuan, transmeton Portalb.mk. Ismaili zotua se do të marrë në konsideratë kritikat, këshillat dhe sugjerimet e këshilltarëve të tjerë, pa marrë parasysh përkatësitë politike apo etnike, pozitën apo opozitën, shkruan Portalb.mk.

Në seancën e 35-të të Këshillit të Komunës së Tetovës, të mbajtur sot, e martë (23 korrik 2024), pika e parë në rendin e ditës ishte propozim-vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Komunës së Tetovës, ku u zgjodh Naim Ismaili.  Ai tha se do të mbështesë projektet e administratës komunale, të tanishme dhe të ardhshme, për të sjellë shërbime më të mira dhe për të përmirësuar kushtet e qytetarëve të Tetovës.

“Duke qenë pranë dhe në krah të projekteve të hartuara dhe që do të hartohen nga ana e administratës komunale, në krye me kryetarin e komunës së Tetovës, duke miratuar propozim vendime me kolegët këshilltar të Tetovës në drejtim të ofrimit të shërbimeve më kualitative komunale me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe ngritjes së standardit jetësor për qytetarët e Tetovës ”, tha Ismaili.

Ai pas zgjedhjes kryesoi me seancën e 35 duke e zëvendësuar kështu Ratko Davidovskin, i cili si këshilltar më i vjetër në Komunën e Tetovës kishte udhëhequr seancën e jashtëzakonshme të fundit. Komuna e Tetovës mbeti pa kryetar të Këshillit Komunal pasi ish- kryetari Besar Durmishi, nga Kuvendi i RMV-së u zgjodh ministër i Ekonomisë dhe Punës.

Durmishi më 24 qershor mori detyrën e re dhe u ul në karrigen e ministrit të Ekonomisë dhe Punës.

Kujtojmë që, Durmishi brenda një viti u zgjodh dy herë kryetar i këshillit. Njëherë pas zgjedhjeve të rregullta lokale në tetor 2021. Ndërsa së dyti në gusht 2022 pasi Tetova shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme për këshillin komunal për shkak se i njëjti nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Përndryshe, Këshilli Komunal në Tetovë ka 31 anëtarë. Në përbërjen aktuale Lëvizja Besa – 12, BDI – 11, VMRO-DPMNE – 4, LSDM – 2, PDSH – 1 dhe Alternativa – 1. Aleanca për Shqiptarët nuk ka asnjë këshilltar.