Kryekalorësi i gjuhës shqipe

Po të përgatitej lista e personaliteteve shqiptare që kanë shkrirë jetën për çështjen e Gjuhës shqipe, pa dyshim që në krye të saj do të qëndronte emri i titanit të Rilindjes, zejtarit të shkrimit që i shndërronte fjalët në diamantekryekalorësit të kujtesës, prometeut të pashpërbëshëm  dhe Sizifit që deshi të lëvrojë shkëmbin – Faik Konicës, vepra e të cilit, përkundër mohimit gjysëmshekullor, vin e freskët edhe në kohën tonë, veçmas trajtesat mbi Gjuhën shqipe, që, për paradoks, vazhdon të jetë e rrezikuar edhe në kohën tonë.

Ai ishte i bindur se shekujt e robërisë mund të kompensohen në sajë të zhdërvjelltësisë së gjuhës shqipe, ndaj, gjurmimin pas kohës së humbur të shqiptarëve e avansoi në qëndrim jetësor, në flijim të jetës, në mobilizim të tërë intelektit.

Kjo nxiti idenë për përkthimet letrare dhe e bëri të shkruajë disa ese briliante mbi kryeveprat e kulturës evropiane, si “Prometheu i lidhur” i Eskilit, nëpërmjet së cilës foli për qëndresën dhe mbijetesën kombëtare nëpër katrahurën otomane.

Me shpalimin e këtillë të madhështisë së gjuhës, që, e shkruar nga pena e tij, shpërfaqte potencën e saj maksimale, Konica nxorri në pah pasurinë më të madhe të kombit, vlerën më të veçantë që me magjinë e saj preku ndërgjegjen e evropianëve, duke u përpjekur t’i bindë se një popull me thesare të tillë nuk e meriton zgjedhën e huaj.

Etjen e tij për dije dhe dëshirën për t’i kontribuar mëkëmbjes së Atdheut dhe zhvillimit të gjuhës së magjishme shqipe Konica e shpreh në shkrimin e njohur: “Parashtresë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, në të cilin thotë se me lëvrimin e Shqipes merret nga viti 1893, se, që atëherë, kishte krijuar një bibliotekë me librat e albanologëve të huaj, se kishte nisur të shkruajë artikuj mbi kombësinë shqiptare në gazetat e Parisit, në një kohë, kur, sipas tij: Propaganda shqipe ishte një zero. Sepse unë (shprehet Ai) isha një nga të rrallët që, me iniciativën time merresha me këtë çështje.

Konica ndizte shpesh flakët e polemikës me zgjebot, zuzarët, zullutë, negrët, zaptietë, hamajtë e tjetrit, të egrit…,që viheshin në shërbim të sulltanit turk, patrikut grek dhe spicave të Moskovit, të cilët bashkërisht luftonin ngritjen dhe përparimin e gjuhës dhe kombit shqiptar. Polemikat e tilla nuk kursenin as Meëmurët e Stambollit, që propozonin zgjidhje të papranueshme për çështjen e ABC-së shqipe dhe të një Abetari, me 7 letra (shkronja) moskove, 5 letra greke dhe disa të tjera të kthyera kokë-tatëpietë, të tredhura e të vërtitura, që e bëjnë Abetarin të ndytë, kurse shqiptarët i vë në rend të popujve sllavë dhe i jep gjuhës nje hije t’egër.

“Për gjuhën” është njëra ndër sprovat futuriste, të shkruara para 100 e ca vitesh, që i shkon edhe kohës sonë: Po sot, thotë Konica, shoh një turmë t’errët prej analfabetësh me dipllomë që po i sulen shqipes dhe duan t’i vënë thikën në kurriz, që t’a gdhëndin pas formës që u pëlqen atyre, se të gjorët kujtojnë se gjuha është si një copë dru pa shpirt; nukë dinë që është një gjë jo vetëm e gjallë po dhe shum’ e hollë, aqë sa, po i shtrembërove pakëz një nyjë a një dell, trupi i tërë tronditet, vuan, dhe humbet forcën bashkë me bukurinë.

Në esenë “Dialektet e Shqipërisë dhe nevoja e shkrirjes së tyre”, Konica e parandjeu atë që ndodhi në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, më 1972: Sipas mendimit të disa shqiptarëve të shkolluar, të cilëve u kemi kërkuar opinionin e tyre s’ka pikë dyshimi se kjo gjë duhet bërë. Ata thonë se kur dialekti toskë të ketë arritur pjekurinë – të cilën po e tregon dita-ditës më shumë – do të thëthitë fatalisht dialektin gegë i cili nuk është lëvruar. Për ta mbështetur tezën e tyre, ata citojnë faktin e drejtë se shumë shkrimtarë gegë përdorin në shkrim toskërishten. Por ne nuk jemi të një mendimi me ta sepse e dhëna e tyre nuk na duket shumë përfunduese. Dialekti gegë përmban qindra shprehjesh që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë. Mjafton të përmendet prapashtesa-mun e pjesores gege që është e lashtë së paku 2 mijë vjet, dhe që s’është tjetër veçse pjesorja greke – MEVOS, si shembull: Shkruemun (shqip) dhe YE-YEAMMEVOS gegramménos (greqisht).

Ai ishte tejet i kujdesshëm, i drejtë dhe korrekt kur fliste e shkruante për punën e Gjuhës shqipe, sepse e njihte mirë nivelin e atyre që përziheshin në këtë çështje, pa pasur asnjë kompetencë të vetme. Ndërmjet dy dielekteve bazë të Shqipes, thoshte Konica, ndryshimet kanë të bëjnë vetëm me shqiptimin. Por, në një vend ku mungojnë traditat shkollore, ky ndryshim shqiptimi theksohet në vend që të pakësohet.

Ai i njihte edhe detajet e vështirësive me të cilat do të ballafaqohen Shqiptarët pamjelargës, që i kishin hyrë betejës për bashkëjetesën e dy dialekteve dhe shkrirjen e tyre në një gjuhë të vetme letrare dhe të shkruar e cila do të jetë e njëllojtë për të gjithë Shqipërinë. Këtë e shkroi në vitin 1897, kur akoma nuk përdorej termi standard gjuhësor. Për mbarëvajtjen e këtij projekti madhor dhe për të shpënë përpara propagandën gjuhëtare, Konica themeloi revistën enciklopedike ALBANIA, që gatoi ushqimin shpirtëror të një kombi të tërë, të përkohshmen që e bëri shqipen gjuhë shkrimi dhe e shndërroi në shtyllë qendrore të qenies shqiptare, urë për bashkimin e gegëve dhe toskëve, roje të identitetit evropian të kombit.

Shkrimin përplot spica therrëse “Për themelim të një gjuhe letrare” ua kushtoi armiqve të amëshuar të çdo përparimi, të cilët e marrin kufirin e mëndjes së tyre për kufirin e botës… Me të angazhohet fuqishëm për gjuhën e përbashkët letrare për të gjithë shqiptarët, kërkesë kjo që bënte pjesë ndër synimet kryesore të jetës së Faik Konicës.

Në esenë “Parashtresë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (1899), të shkruar frëngjisht dhe të njohur si njëri prej shkrimeve më të plota, që kap faqet e një libri serioz dhe ka rëndësinë e prorgamit të mirëfilltë për zgjidhjen e çështjes kombëtare, Konica prek të gjithë segmentet me interes për shqiptarët, përfshirë këtu edhe Gjuhën shqipe.

Është kjo ndër përpjekjet e para serioze të shqiptarëve për ta njohur e për ta kultivuar Gjuhën e shkruar shqipe, në rrethanat kur kjo gjë pengohej me sistem nga armiqtë e dëshmuar historikë…

Konica këtu flet për atë se: deri më 1877 shumë pakë shqiptarë kishin ide se gjuha e tyre mund dhe duhej të shkruhej; se gjer asopkohe, ndjenja e gjuhës kombëtare ekzistonte vetëm në embrion dhe sidomos në mes të disa shtresave të shquar; se ishin të paktë veprimtarët e disporës, si puna e Naum Veqilharxhit, që punonin për alfabetin e Shqipes, që hapnin shkolla dhe përhapnin  shijen e gjuhës amtare..

Konica ishte i sigurt se pa gatuar udhën e themelimit të një gjuhe të vetme për të gjithë shqiptarët, duke bashkuar dialektet, populli ynë nuk do të quhet kurrë komb i vërtetë…, nuk do ta njohim kurrë jetën e përbashkme, sepse, pa gjuhën nuk ka jetë kombëtare…

Në këtë sprovë të rëndësishme Konica ofron dhe zgjidhje konkrete për krijimin e një gjuhe të vetme shqipe (të njohur sot si standardi i shqipes). Në këtë pikë ai ofron shumë shembuj të krijimit të gjuhëve të përbashkëta te popujt tjerë, duke thënë se: disa popuj kanë ardhur gjer te gjuha e përbashkët nëpërmjet veprave të shkronjëtarëve të mëdhenj, që i japin dialektit të tyre një shkëlqim të madh dhe duke e ngritur më sipër se dialaktet tjera, që pastaj, me kohë, dialekti i tyre të pranohet si gjuhë e parbashkët e vendit. Disa popuj të tjerë kanë pranuar si gjuhë të përbashkët gjuhën e oborreve të tyre mbretërore…, po ne shqiptarët as kemi mbret, as kemi kohë të presim që punën e gjuhës së përbashkët ta bëjë fama e veprave të shkrimtarëve të mëdhenj. Në këtë aspekt, thotë Konica, ne kemi mbetur shumë prapa të tjerëve, ndaj: jemi të shtrënguar të vemi shpejt, duke bërë me të marrë vesh atë punë që koha do ta bënte më mirë se ne sikur të prisjim dot.

Sipas Ernest Koliqit: Kontributi më i madh që dha Konica për Shqipen si pajë shpirtnore e një kombi, është mënyra se si e shkroi atë, duke e lakue me mjeshtri të pashoqe, duke e ndry mendimin në një gëlvozhë a lëvozhgë gastarje, duke e gjallnue periudhën me një dell muzikuer tërhjekës tue u dhurue fjalve ma të zakonshme nji theksim të ri pa dalë kurkund nga hullija e rithmit të natyrshëm idiomatik të shqipes.

Martin Camaj thotë se: Mbas luftës antifashiste, Konica u përjashtua zyrtarisht nga letërsia dhe rrjedhimisht dhe nga shkrimet e tija si modele gjuhësore-stilistike.

Sigurisht që përjashtimet e tij nga ngjarjet për të cilat shkriu tërë qenien, ndikuan në zhvillimin e mëvonshëm të Shqipes. Por, për mjerim tonin, më shumë për Konicën ato flasin për paradokset e paradokseve shqiptare viktimë e të cilëve vazhdojmë të jemi sot e gjithë ditën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.