Krizë e re në marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë

Pas disa muajsh qetësie në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë sërish ka krizë. Takimi Siljanovska – Radev në Sofje, i cili duhej të ishte një kapitull i ri në marrëdhëniet maqedono-bullgare, u shndërrua në një fiasko pas fotosesionit protokollar që e bënë të dy presidentët, e në të cilin mungonte flamuri kombëtar i Maqedonisë. Rasti u shndërrua në një skandal diplomatik, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë njoftoi se sot (e hënë, 16 shtator i vitit 2024) do ta ftojë ambasadorin bullgar, shkruan DW.

Radev erdhi në takimin me Siljanovskën pasi e aterroi me sukses avionin luftarak F-16 në fluturimin testues për aeromitingun që do të mbahej të nesërmen (e shtunë, 14 shtator i vitit 2024) me rastin e 20 vjetorit të anëtarësimit të Bullgarisë në NATO. Në kushte normale do kishte qenë një nder për të dyja palët që Bullgaria të priste një president që vjen nga një aleat fqinj i NATO-s. Bullgaria ishte ndër vendet e para që miratoi pranimin e Maqedonisë në NATO, që është një arsye më shumë për atmosferë miqësore në bisedime.

Por, gjërat shkuan në një drejtim tjetër. Kronologjia e ngjarjeve nxori në pah se kabineti i presidentes në Shkup nuk e ka vënë re aspak problemin me flamurin, sepse menjëherë pas takimit në profilet zyrtare në rrjetet sociale të kryetares të shtetit u publikuan fotografi në të cilat Siljanovska dhe Radev janë duke i shtrënguar dorën njëri tjetrit para flamujve të Bullgarisë dhe BE-së. Por, reagimi në Shkup bëri që edhe vetë presidentja ta dënojë lëshimin, por me një dozë zbutjeje diplomatike, duke preferuar se bëhej fjalë për një gabim të protokollit bullgar.

“Duam të besojmë se bëhet fjalë për një lëshim protokollar, e jo një veprim të qëllimshëm dhe një devijim nga ajo që është dakorduar dhe që nesër do të kërkojmë shpjegim nga pala bullgare”, kanë reaguar nga zyra e Siljanovskës.

Rumen Radev dhe Gordana SIljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së
Rumen Radev dhe Gordana SIljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së

A bëhet fjalë për një gabim, lëshim apo një hap të qëllimshëm të palës bullgare, këtë nuk do ta marrim vesh asnjëherë, sidomos pas deklaratës së Radevit të nxitur nga reagimet në Maqedoni në të cilën ai tha se “asnjëherë nuk ka refuzuar takim me një president të një shteti të huaj që ka vizituar Bullgarinë”. Sipas mediave bullgare, Radev në këtë mënyrë ka bërë të ditur se takimi me Siljanovskën ka qenë me kërkesë të palës maqedonase.

Oscilime në marrëdhënie 

As Shkupi e as Sofja nuk karakterizohen me një  konsistencë në politikën e ndërsjellë,  e cila gjatë këtyre disa dekadave të fundit ka pësuar shumë oscilime. Bullgaria ishte e para që e njohu Maqedoninë me emrin kushtetues kur u nda nga federata, ishte ndër vendet e para që ratifikoi protokollin për pranimin e vendit në NATO, por kur duhej të tregonte fqinjësi të mirë, mbizotëruan forca të tjera dhe ajo imponoi një veto për fillimin e negociatave me BE-në. Në fillim të viteve ’90 Maqedonia kishte një rrymë të fortë probullgare në njërën nga dy partitë kryesore politike, VMRO-DPMNE, e cila bënte thirrje për një aleancë me Bullgarinë, që më vonë e njëjta parti të kundërshtojë ashpër përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, dhe t’i ndezë raportet me Bullgarinë.

Si edhe në Maqedoni, edhe në Bullgari ka një ndarje sa i përket politikës së jashtme. Kështu, për shembull, përderisa mediat kryesore në Bullgari raportojnë dhe i thonë Qeverisë në Shkup se kredia hungareze vjen nga Kina, presidenti Rumen Radev një ditë para takimit me Siljanovskën mori pjesë në një samit të biznesit bullgaro-kinez në Sofje, nga i cili i bëri thirrje Kinës për investime më të mëdha në Bullgari. Siç përcolli Euraktiv, presidenti bullgar është ankuar se ai ende po pret që Kina ta përmbushë atë për çfarë është dakorduar me deklaratën për partneritet strategjik nga viti 2019, sipas të cilës Banka Kineze duhej të hapte një degë në Bullgari dhe të krijojë një linjë ajrore Sofje-Pekin.

Ky hap i Bullgarisë po ndodh në një kohë kur marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës janë jashtëzakonisht të tensionuara dhe gjatë rekomandimeve të NATO-s për anëtarët e saj për ta reduktuar varësinë e tyre ekonomike nga ky vend aziatik.

“Ekskursionet” e këtilla si në Shkup ashtu edhe në Sofje kontribuan në vështirësimin e leximit të politikës së jashtme të njëri-tjetrit dhe i japin shpresë të rreme udhëheqësisë në Maqedoni se Brukseli do të përdorë një kamxhik për ta rrëzuar veton bullgare. Në atë drejtim është edhe deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski ,në të cilën ai e porositi BE-në: “Nëse doni të na shihni brenda, ka mënyrë”, të cilën ai e dha gjatë vizitës së fundit në Kroaci.

Çfarë do të dërgojë Mickoski në Bruksel  

Sipas njoftimeve Mickoski do të shkojë në Bruksel të enjten, më datë 19 shtator. Atje do të diskutojë për planin për tejkalimin e bllokimit. “Ne jemi një partner konstruktiv në proces dhe propozojmë të ulemi bashkë me qeverinë në Sofje dhe të flasim dhe të shohim, ne kemi një propozim. Ne po flasim qartë për atë propozim, ai propozim nuk është dhënë tani. Propozimi për aplikim të vonuar është i logjikshëm, të përfundojmë me negociatat, pastaj të shohim se çfarë do të bëjmë, si do ta bëjmë, të shohim se çfarë do të ndodhë me vendimet nga Strasburgu për komunitetin maqedonas nga Bullgaria, të shohim se çfarë do të ndodhë më në fund me identitetin dhe gjuhën maqedonase“, tha ai në një intervistë të dhënë kohëve të fundit.

Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Në dosjet për Bruksel kryeministri tani do të mund ta shtojë edhe rastin e mungesës së flamurit shtetëror të Maqedonisë në takimin Siljanovska-Radev. Fotografimi i Presidentes së  Maqedonisë para simboleve shtetërore bullgare në rezidencën e presidentit bullgar është mbështetje e narrativit aktual në Shkup se Bullgaria nuk e njeh veçantinë e kombit maqedonas.

Në pritje të formës diplomatike që do ta përdorë Shkupi zyrtarisht nga pas rastit me flamurin, mediat nga të dyja anët e kufirit po i regjistrojnë me përpikëri hapat e ndërmarra nga Maqedonia dhe Bullgaria.

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të maqedonasve në Shqipëri “Shoqata Prespa” ka dërguar një reagim të ashpër në lidhje me një donacion bullgar për komunën e Pustecit, duke e vlerësuar atë si “vazhdim të agresionit bullgar për denacionalizimin dhe asimilimin e maqedonasve në Shqipëri”.

“Në fshatin Glloboçan është hapur solemnisht një ambullatë modulare, donacion nga Bullgaria. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse vazhdimës i agresionit bullgar për denacionalizimin dhe asimilimin e maqedonasve në Shqipëri”, thuhet në reagim. Në të njëjtën kohë theksohet se krahas përfaqësuesve të komunës Pustec të kryesuar nga kryetari i bashkisë, ka marrë pjesë edhe një delegacion bullgar i kryesuar nga ambasadori i Bullgarisë në Tiranë. Organizata “Shoqata Prespa” akuzoi se përfaqësuesit bullgarë sjellin ndihma materiale në komunën e Pustecit, “edhe pse dihet se Sofja e bën këtë vetëm për t’i paraqitur maqedonasit në Shqipëri si bullgarë”.

“Opereta e fundit politike“ është vetëm një  krizë e re e cila do e largojë Maqedoninë nga BE-ja,  edhe pse Qeveria teknikisht i vendos eurointegrimet   si shtyllën kryesore të politikës së saj. Por as Bullgaria nuk po manifeston sinjale se dëshiron të bëjë një hap drejt fqinjësisë së mirë. “Pres që synimi i Siljanovskës për dialog dhe mirëkuptim të bëhet politikë konsistente e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, tha presidenti Rumen Radev në aktin e fundit të operetës.