KRITICIZMI SOCIAL (II)

Përkundër shembujve minorë të aktivizmit social, mund të thuhet se në përgjithësi në shoqërinë tonë në vend të kriticizmit social mbizotëron kultura e poltronizmit apo oportunizmit. Secili mundohet të ruajë veten, duke u tërhequr në kthinën e vet, në zonë e konfortit, duke shijuar ca “dardha që ia hedh i fuqishmi”, gjegjësisht pushtet(ar)i. Aty ku ka poltronizëm masovik s’ka ndryshime. Një fjalor i huaj shumë bukur i ka përshkruar sinonimet e poltronit: demagog, primitiv, kthyesar, dyfytyrësh, politikant, hohshtapler, cirkuzant, profiter, aparatçik, i dëgjueshëm, manipulant, mashtrues, sharlatan, mitoman, degjenerik, mikroborgjez, puthador, endacak etj. Si mund të pritet progres social ndër ne kur shkollarë, profesorë, “hulumtues” shtyhen për t’u  fotografuar me gurunë e politikës, që shkruajnë elozhe për të? A mund të merren model intelektualë që profilet e tyre në rrjetet sociale i kanë bërë tabela apo megafonë të partive të caktuara? Në vend të arritjeve akademike krenohen me përkatësinë një grupimi apo klani të caktuar qeverisës.

Intelektuali i mirëfilltë vë nën llupë, analizon dhe ngre zërin intelektual kundër “realitetit” dhe karakterit kontrovers të Republikës së Kakotopisë, ku është shuar llamba e qytetërimit, një shoqëri kjo e skizofrenisë kulturore, e antivlerave, që udhëhiqet nga qeveria e “peshkaqenëve dhe ujqërve”, ku defilojnë profetë të rrejshëm, ku të qenët normal është jonormalitet, ku anomalitë e bëjnë njeriun të flasë me vetveten dhe më në fund, të emigrojë diku larg, në një mjedis racional. Ai duhet të analizojë anatominë e mendësisë fisnore, të xhunglës sociale, të shoqërisë me koeficient të idiotësisë, ku mbizotëron “ideologjia e idiotizmit” (Curtis, 2013), të idiotokracisë, të hapësirës gjithshqiptare të mbuluar nga retë e zeza të politikës dhe të pseudoakademizmit që ëndërron një ditë të zëvendësohet nga një shoqëri e virtyteve, që do qeveriset nga brezi i mendarëve të pavurur që ua di vlerën gjërave dhe jo çmimin, nga një meritokraci e mirëfilltë.

Në shoqërinë tonë, defetizmi duhet të zëvendësohet me angazhim social, shqyrtim në favor të përparimit të shoqërisë.  Fëmijët qysh në shkollë pos respektit duhet të mësojnë edhe kulturën e mendimit kritik, të guximit për të folur, për t’i shprehur kërkesat e tyre lirshëm. Arsimi apo edukimi demokratik nënkupton dhënien hapësirë çdokujt, jo imponimin, jo aprovimin e gjithçkaje. Epoka e power relations (marrëdhënieve të fuqisë, pushtetit) në arsim ka mbaruar. Në veçanti universiteti e ka mision gjenerimin e brezave aktivë, të angazhuar shoqërisht, që vetëvendosin për fatin e tyre. Ne mund të luftojmë atë që Bourdieu e quan pushtet simbolik, i cili bën të pranojmë dhe të internalizojmë arsyet e qarqeve që dominojnë me ne. Ne përmes kritikës sociale mund t’i ikim ligjit të hekurt të determinizmit. Siç shprehet Timo Seidl (2024) puna e kritikut social është si ajo e kopshtarit i cili duhet t’i herrë barërat e këqinj të lirisë fallco në mënyrë që të dalin sythat e luleve të lirisë së vërtetë që një ditë do të lulëzojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.