Krim i rëndë në Memaliaj të Shqipërisë, tre persona të vrarë dhe një tjetër i plagosur

Policia e Gjirokastrës tha se afër mesnatës së të shtunës tre persona u vranë me armë zjarri dhe një tjetër u plagos në gjendje të rëndë në një lokal në qendër të qytezës së Memaliajt, në jug të Shqipërisë, transmeton Zëri Amerikës.

Sipas policisë nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në një fshat të kësaj zone.

Sipas të dhënave paraprake policore dyshohet se shënjestra e atentatit ka qenë 74-vjeçari Shyqyri Kalemi i cili qëndronte në një tavolinë të lokalit, ndërsa dy viktimat e tjera ishin 36 vjeçari Gledian Muka, që ishte kamarieri që shërbente në tavolinën e Kalemit në mometin kur ai u qëllua dhe Marsel Çela, 47 vjeç i cili ishte klient në lokal.

Polica po heton pistën e vrasjes së Shyqyri Kalemit për motive hakmarrjen pasi edhe ndaj dy djemve të tij, njëri i dyshuar nga policia me precedente penale, ka pasur disa atentate me armë zjarri.