Kovaçevski: Votuam “të përmbajtur” për rezolutën e OKB-së pasi nuk u përmend sulmi i Hamasit

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut abstenoi në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për armëpushimin e Gazës, të propozuar nga Jordania, pasi nuk përmendej sulmi i 7 tetorit nga Hamasi në Izrael. Përveç kësaj, tha Kovaçevski, ai nuk përmendej e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut mbështet aspektin humanitar të rezolutës jordaneze, respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe domosdoshmërinë e mbrojtjes së civilëve dhe qasjes së tyre në nevojat themelore të jetës – energji elektrike, ujë dhe ilaçe. Nga ana tjetër, një dobësi e madhe e rezolutës ishte mospërmendja e sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, të cilin ne e dënuam menjëherë, si dhe e drejta e Izraelit për t’u mbrojtur, prandaj votuam për amendamentin kanadez të rezolutës”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai shtoi se vendimi për të votuar me abstenim nuk ishte i lehtë për ta marrë.

“Nga njëra anë, rezoluta trajton çështje humanitare, me të cilat ne pajtohemi dhe i mbështesim, por mungesa e përmendjes së asaj që bëri Hamasi më 7 tetor nuk lë një qasje të ndryshme në lidhje me votimin”, tha Kovacevski, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencën e sotme të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Shkup.

Përfaqësuesi i Maqedonisë në Kombet e Bashkuara, Lubomir Fërçkoski, abstenoi pasi mori të njëjtin qëndrim nga Ministria e Punëve të Jashtme, tha Kovaçevski.

“Ky është edhe qëndrimi im dhe e them qartë”, tha Kovaçevski dhe shtoi se amendamenti kanadez nuk është pranuar para votimit përfundimtar të rezolutës dhe për këtë arsye shumë vende kanë vepruar ashtu siç ka vepruar shteti maqedonas.

Kujtojmë se, me 120 vota pro, 14 kundër dhe 45 abstenime, të enjten e javës së kaluar u votua rezoluta në Kombet e Bashkuara që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza dhe për “mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e detyrimeve ligjore dhe humanitare”.

Maqedonia e Veriut abstenoi nga votimi për këtë rezolutë. Sllovenia, BeH dhe Mali i Zi votuan pro rezolutës, Kroacia ishte kundër, ndërsa Serbia, Shqipëria, Bullgaria dhe Greqia abstenuan. Kjo rezolutë u propozua nga Jordania.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është simbolike, pasi nuk është ligjërisht e detyrueshme.

Kanadaja kërkoi që rezolutës t’i shtohej një amendament që do të përfshinte dënim të grupit militant Hamas. Shumica e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e mbështetën propozimin, por ai nuk arriti shumicën e nevojshme prej dy të tretash për t’u miratuar.