SPAK – frikë dhe tmerr për të korruptuarit!

Jo-rastësisht thuhet se një padrejtësi ndaj kudo që ndodh është një kërcënim për drejtësinë çdokund dhe se një padrejtësi ndaj kujdoqoftë është rrezik për secilin.

Qëkur SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), në Shqipëri para disa muajsh kërkoi arrestimin e zëvendës kryeministrit dhe ministrin e financave të pushteti aktual Arben Ahmetaj, frika hyri në krejt piramidën shtetërore. Tani që prokurorët e SPAK-ut po hetojnë politikanin më të fuqishëm të këtyre 32 viteve, Sali Berishën dhe familjen e tij, frika u ka hyrë në palcë funksionarëve më të lartë shtetit. Tash shumëkush kupton se po ta vrasësh drejtësinë, shpejtë edhe ajo do të vrasë ty!

Tani SPAK ka thërrit edhe njeriun e afërt të kryeministrit Rama, Dorian Duçka lidhur me skandalin “Mc Gonigal”. Paralel hetohen shumë funksionar aktual e të kaluar, duke përfshi edhe ish-presidentin Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Këta të fundit, pos tjerash hetohen edhe për rastet “Lobimi” dhe të dhënat nga ShBA dhe Qipro janë te SPAK-u.

Hetime janë duke u bërë edhe brenda Bashkisë së Tiranës për çështje me peshë kriminale, ku një oligark ka korruptuar disa funksionarë publik duke i përfshi në krimin e organizuar. Pritet që prokurorët e SPAK të firmosin arrestimin e tyre dhe pasurisë së tyre. Frika u ka hy të gjithëve sepse po vodhe fare lehtë përfundon në burg, kurse pasuria të shkon. Eksperti Ervin Karamuço, në Top Channel tha se definitivisht në Shqipëri nuk ekzistojnë më persona të paprekshëm.

Ndjekjet dhe akuzat ndaj politikanëve dhe zyrtarëve nuk janë më teatër apo biznes i më të fortëve që përdorej për zhvatje, por objekt i përditshëm i punës së dy institucioneve kyçe të drejtësisë së re shqiptare: SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme. Tani më disa ministra, zëvendësministra dhe zyrtarë të lartë të “qeverisë Rama” janë hetuar, akuzuar, gjykuar e dënuar. Të tjerë po hetohen dhe presin gjykimin. Është një stuhi që nuk njeh tabu. Në këtë përshkallëzim, hetimi i ish-kryeministrit Berisha për aferën e privatizimit të ish-klubit “Partizani” përfaqëson majën më të lartë të hetimeve të kësaj natyre deri tani.

SPAK gjuajti ministren Xhaçka

Edi Rama, nga foltorja e një tubimi të vet masiv partiak kumtoi emrat e ministrave që s’do jenë më, madje pa i informuar ato paraprak! Të shkarkuarat i kapi kamera me gojë hapur. Mes të shkarkuarave u përmend edhe emir i ministres për çështje evropiane dhe punë të jashtme Olta Xhaçka. Kamera atë e kapi krejt të habitur! Ndërkohë SPAK kumtoi vendimin për sekuestrimin e rreth 6.000 m2 truall në Himarë të një “investitorit strategjik” Artan Gaçi, që është bashkëshort i ish-ministres së shkarkuar Olta Xhaçka, me hetim se ka për falsifikuar aktin e marrjes së tokës në pronësi, duke u shpallur “investitor strategjik”.

SPAK ka sekuestruar pasuritë e biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili ndodhet pas hekurave lidhur me operacionin “Metamorfoza”. Në njoftimin e SPAK-ut flitet për një sërë pasurish, toka në zonën e Pulaj-Plazh, në Velipojë, që janë të personave të tjerë, e që janë vënë në emër të tij nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga Gjoka, në bashkëpunim me persona të pushtetit.

SPAK-u – një projekt amerikan

Stejt Departmenti amerikan para dy vitesh edhe njëherë pat potencuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar në Ballkan rrezikon interesat nacional të Shteteve të Bashkuara. Andaj, ky sinjal në kohë u kuptua në Shqipëri. Tani, hetimi dhe ndëshkimi i zyrtarëve aktual dhe ish-zyrtarëve që kanë kryer vepra të dënueshme është një misioni impresiv i drejtësisë së re në Shqipëri dhe duket se askush nuk mund të jetë mbi të. Për shumë vite në Shqipëri ishte ngritë një sistem konstant i  pandëshkueshmërie për nivelet e larta të ushtruesve të pushtetit dhe ajo rrezikonte gjithë shtetin, por edhe interes nacional amerikane në rajon. Duket se Shqipëria tani është një test se si nesër të veprohet në mbarë rajonin e Ballkanit, ku në disa shtete rajonale haptazi krimi udhëheq me vendin.

Berisha i krisur do revolucion!

Eksperti i Sigurisë Ilir Kulla, në një emision tha se miti i paprekshmërisë në Shqipëri tanimë ka rënë. Reformat në drejtësi me institucione të reja janë krijua për të goditur elitat e larta, posaçërisht ata që mendonin veten se janë të paprekur. Historikisht, gjykatat e posaçme kanë shkatërruar klasat e fuqishme politike të përfshira në korrupsion. Berisha po kërkon që gjyqin ta bëjë ai vet, ta bëjë ku do ai, si do ai, dhe kur do ai. Andaj ka zgjedhur sallën e vet partiake të konferencave të shtypit si sallë gjyqi, vetveten si prokuror dhe tru-shpëlarët që e rrethojnë si gjyqtarë. Kurse gazetarët e kronikës i pranon vetëm si publik. Avokatët e Berishës duhen atë ta mbrojnë nga padrejtësitë e jo nga gazetarët. Por, Berisha shpreson se do t’i shpëtojë gjyqit penal dhe do të bëjë gjyq popullor kundër drejtësisë.

Ai nuk e di sa shumë kjo do e dëmtoj. Atij priten t’i hapen edhe disa afera tjera. Tani akuzohet për korrupsion pasiv, ku dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi dyshohet se ka përvetësuar 5.4 milion euro si ryshfet. Sipas SPAK-ut, Malltezi u pat shpërblyer për privatizimin e tokës së shumë pronarëve me ndihmën e vjehrrit të tij, kryeministri Berisha, i cili në funksion vuri qeverinë, duke ndryshua dy ligje dhe 8 akte nënligjore. Këtu krimi është i dukshëm sikur blici i aparatit natën. Në mesataren e gjykimit, publiku ka treguar gjithnjë mençuri dhe objektivitet. Publiku i dallon dhe i shpërfill përpjekjet eventuale të akuzës për të bërë lidhje të shkurtra midis ligjit dhe veprës. Publiku kërkon të shohë ku është vepra penale konkrete, ku është abuzimi, ku është vjedhja, ku është pastrimi i parave, pra ku është shkelja që cilësohet si vepër penale në bazë të përcaktimeve në Kodin Penal. Për të gjitha këto vendi i duhur dhe i vetmi është gjykata. Të tjerat janë si një kërcim budallash në pishinën pa ujë.

Por, Berisha ka zgjedh që drejtësinë ta bëjë vet. Me gazetarë e medium, në vend se në gjykatë, duke u fshehur pas dispozitave të imunitetit. Ai me atë vjen në kundërshtim me atë që fliste kur ishte pushtet – se drejtësinë duhet kërkuar në gjykatë. A në kohën e tij shumë njerëz të drejtë u bënë fajtorë, e shumë fajtorë konsideroheshin të drejtë. Por, koha është gjykatësi i drejtë. Berisha rrejshëm shpreson se do i shpëtojë gjyqit institucional dhe do të bëjë gjyqin popullor të rrugës. Askush s’garanton se nesër edhe vet Edi Rama do mund të jetë një i ulur në ata karrige të zezë. Udhëheqësi i SPAK-ut Altin Dumani thotë “nuk më interesojnë emrat e njerëzve, por provat”! Tani për tani, Rama ka përparësinë sepse aspak s’e pengon drejtësinë.

Ku është Maqedonia e Veriut?

Ajo është në shkallët më të ulta të drejtësisë dhe më të larta të shkeljes së saj! Parashkruhen pa numër veprash penale nga shteti e gjykata, duke shkelë mbi njerëzit, moralin dhe logjikën e ligjit. Kriminelët më të mëdhej këtu më s’mund të lëvizin lirshëm se i mbyt popullariteti. Opozita çan gojën për drejtësi, kurse ri në Pallatin e Bardhë të ndërtuar me para të zeza! Rinia zhduket nga këndej e gërditur nga patriotizmi i rrejshëm etnik që shërben si mjegull për të mbuluar vjedhjet marramendëse. Këtu çdo gjë është e kapur – drejtësia, shteti, institucionet, vlerat meritore, dija, morali, kurse jashtë kapjes kanë mbetur krimi, korrupsioni, nepotizmi, partizimi që favorizon analfabetë dhe çdo gjë e keqe. Kurse opozita si një e çmendur që gjithë kohën përsëritë “diktatin bullgar” dhe asnjë vizion për diçka tjetër. Njohësit e mirë ndërkombëtar thonë se edhe ju së shpejti do e shihni një SPAK, që çudia do trazojë.