Kosova edhe me një medalje në Lojërat Olimpike “Paris 2024”

Përfaqësuesja e Republikës së Kosovës në Lojërat Olimpike Verore “Paris 2024”, xhudistja Laura Fazliu i ka siguruar edhe një medalje Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Në ndeshjen për vendin e tretë, Laura Fazliu u përball me kroaten Katarina Kristo. Ndeshja pasi kishte shkuar në vazhdime, gjyqtari i ndeshjes e shpalli Fazliun fituese, pas një gabimi të kroates Kristo.

Majlinda Kelmendi e udhëhoqi garuesen Fazliu në këto gara.

Laura Fazliu u kurorëzua me medaljen e bronztë, ndërsa kjo është medalja e parë e bronztë e Kosovës në Olimpiada.

Ndryshe, Kosova ka arritur të marrë medaljen e argjendtë në Olimpiadën “Paris 2024” përmes xhudistes Distria Krasniqi.

Kosova tani numëron gjithsej 5 medalje olimpike, tre të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë, të gjitha në sportin e xhudos.