Kosova dhe Serbia para përballjes së re në nivel kryenegociatorësh, BE-ja konfirmon datën

Takimi i ardhshëm mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë- Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, do të mbahet të martën më 17.09.2024. Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Mundësia e parë për këtë ri-angazhim është takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve në Bruksel më 17 shtator 2024”- tha Stano, duke shtuar që rruga përpara për të dyja palët është të riafirmojnë angazhimin e tyre konstruktiv në procesin e normalizimit.

Para se të merrej vendimi për datën 17, pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.

Zëvendëskryeministri Bislimi të premtën më 13.09.2024, kishte deklaruar se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.

Kështu i kishte reaguar Bislimi, medias serbe ‘Tanjug’, pasiqë kjo e fundit kishte raportuar se pala kosovare refuzoi takimin.

Fillimisht, kryenegociatori i palës kosovare tha se Serbia u mundua të imponojë pika të rendit të ditës “të destinuara për konsum të brendshëm politik”.