Korridori 8 nuk është prioritet pasi nuk ka vlerë të shtuar, vlerësoi ministrja e RMV-së

Korridori 8 nuk është prioritet pasi nuk jep vlerë të shtuar. Kështu ka deklaruar ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrievska Koçoska, transmeton Portalb.mk.

Ministrja tha se nga ky projekt me buxhet të limituar dhe me mjete jo të mjaftueshme vendi nuk fiton vlerë të shtuar.

“Me Korridorin 8 do ta lidhim Durrësin dhe Burgasin. A e njihni ndokënd që sjell prodhime në Maqedoni? Jo. Kilometri është më i madh deri në Durrës dhe Burgas në raport me Selanikun. Duhet të kemi prioritete të kompanive tona dhe t’ua ulim shpenzimet sepse në kohë të afërt, për shkak të dekarbonizimit, do t’u rriten. Askush nuk thotë se Korridori 8 nuk është me rëndësi, por kur kemi mjete të limituara është më se normale që fillimisht t’i ndihmojmë biznesit i cili e mbush buxhetin, kurse më pas të fokusohemi në Korridorin 8”, tha Koçoska.

Ajo shtoi se ky korridor sigurisht se nuk do të ndalojë dhe asnjëherë nuk do të ndodh ajo, por i japim prioritet kushteve me buxhet të kufizuar të ndihmojnë ku duhet.

Në lidhje me këtë qëndrim të ministres ka reaguar analisti Selim Ibraimi.

“Disa po thonë se qeveria e re ka qëndrime antibullgare dhe antishqiptare. Çfarë do të bëjë VLEN-i tani, kur Korridori 8 po del jashtë planeve të qeverisë së Mickoskit, e ku aty VLEN po thotë se ka ndikim të madh? Po shihet se qeveria e Mickoskit po tenton të devijojë projektin aktual me llogaritje të tjera. A do të mund ta parandalojë këtë aventurë të Mickoskit VLEN-i? E gjitha mbetet për tu parë, pasi siç dihet liderët e partive shqiptare nuk njihen për udhëheqës të mirë, e nuk i mbajnë premtimet”, tha Selimi.

Me 16 maj 2024, kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski ka thënë se ka dy opsione për kontratën me “Bechtel and Enka”, ose ta ndërpresë ose ta rinegociojë. Njëra është të zgjidhet kontrata dhe të shkohet në arbitrazh, të paguhen qindra milionë euro dhe të mos kemi autostradë dhe e dyta është të optimizohet kontrata për të cilën tashmë janë bisedimet fillestare, që do të përshpejtonte dhe realizonte projektin.

“Ne jemi më shumë për një qasje pragmatike, që qytetarët të kenë një autostradë, por të optimizuar, por siç është, e nënshkruar nga kjo qeveri, fatkeqësisht në një masë është e pazbatueshme për shkak të problemeve të mëdha ligjore, problemeve me shpronësimet dhe probleme teknike. Si qeveri e ardhshme ne duam të ndërtojmë, jo të shkatërrojmë”, ka deklaruar Mickoski.

Në lidhje me Korridorin 8 me 20 maj 2024 ka komentuar edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Ai ka vlerësuar se ka shumë gjëra për tu reviduar dhe që institucionet të hetojnë dyshimet, por tha se kjo nuk nënkupton se do jetë në dëm të qytetarëve.

“Ajo që është me rëndësi që nuk do të ketë ndryshime sa i përket kornizës financiare dhe sa i përket pjesës së rrugëve që duhet të bëhen. Patjetër që ne kemi thënë se është një ndër projektet e dyshimta të realizuara drejtpërsëdrejti nga Artan Grubi dhe do të ketë shumë punë aty, organet institucionet e shtetit të shohin se çfarë po ndodh aty dhe si janë bërë të gjithë ato procedura. Revidimi nuk nënkupton në asnjë moment që ajo do të jetë në dëm të qytetarëve”, tha Kasami.

Më 8 mars 2023, Qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill 2023 në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.

Më 22 prill 2023 u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Ndërkaq më 1 qershor 2023 në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.

Në lidhje me marrëveshjen për ndërtimin e këtyre korridoreve në opinion u ngrit alarmi për dyshime për keqpërodorime.