Koreja e Jugut do të ndalojë prodhimin dhe shitjen e mishit të qenit

Parlamenti i Koresë së Jugut ka miratuar një ndalim historik për prodhimin dhe shitjen e mishit të qenit, pas rritjes së shqetësimit të publikut për të drejtat e kafshëve dhe imazhin ndërkombëtar të vendit, raporton Associated Press.

Mbarështuesit e qenve të indinjuar nga vendimi kanë thënë se planifikojnë të sfidojnë kushtetutshmërinë e ligjit dhe të mbajnë mitingje proteste, një shenjë tjetër e debatit të nxehtë të vazhdueshëm mbi ndalimin në Korenë e Jugut.

Sipas projektligjit, therja, rritja dhe shitja e mishit të qenit për konsum njerëzor do të jetë e paligjshme nga viti 2027 dhe dënohet me 2-3 vjet burg.

Konsumimi i mishit të qenit, një praktikë shekullore në gadishullin Korean, nuk është as i ndaluar dhe as i legalizuar në mënyrë eksplicite në Korenë e Jugut. Sondazhet e fundit tregojnë se më shumë se gjysma e koreano-jugorëve duan që mishi i qenit të ndalohet dhe shumica nuk e konsumojnë më atë. Por sipas sondazheve, një në tre koreano-jugorë ende e kundërshton ndalimin, edhe pse nuk hanë mish qeni.

Kuvendi Kombëtar e miratoi projektligjin me 208:0 vota.

Ai gjithashtu do të hyjë zyrtarisht në fuqi pasi të miratohet nga kabineti dhe të nënshkruhet nga presidenti Yoon Suk Yeol, i cili konsiderohet një formalitet pasi qeveria e tij e mbështet ndalimin.