Komunat e Tetovës, Gostivarit, Çairit dhe Zhelinës do ta financojnë Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në RMV

Kryetarët e komunave  koalicionit VLEN, së bashku kryetarët e këshillave komunalë organizuan takim punues në Tetovë, me temë financimin vjetor të projekteve të rëndësishme për siç thonë ata, avancimin e mendimit intelektual dhe shkencor të shqiptarëve. Arsyeja e takimit të sotëm, shtojnë nga VLEN-i, është dinamizimi i realizimit të projektit të koalicionit, për krijimin e Akademisë Shqiptare, transmeton Portalb.mk.

“Krijimi i Akademisë Shqiptare është i domosdoshëm për shkak të plogështisë së ASHAM-it për reforma që duhet të pasqyrojnë gjendjen faktike, e që nuk janë duke u realizuar tashmë për 57 vjet. Ky projekt ekskluzivisht shkencor i VLEN-it nuk ka për qëllim të shkaktojë tensione etnike ose paralelizma në nomenklaturën arsimore shtetërore, por ka për qëllim të krijojë një institucion tjetër shkencor që do të bashkojë mendimin autentik shqiptar në një zhvillim të përbashkët dhe të barabartë shoqëror”, thonë nga VLEN. 

Akademia, me seli  Tetovë, thonë nga koalicioni, do të krijojë mundësi të reja për studiuesit dhe artistët shqiptarë që të kontribuojnë me kërkime cilësore dhe të ruajnë trashëgiminë tonë kulturore.

“Jemi të bindur se kjo nismë do të jetë një shtytje për cilësinë e arsimit dhe për zhvillimin e një komuniteti të fortë intelektual. Hapat e parë për financimin e Akademisë janë tashmë ndërmarrë me ndihmën e komunave tona me të cilat udhëheqin kuadrot e VLEN-it, të cilat e mbështesin këtë projekt dhe që po kontribuojnë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për kërkimet dhe zhvillimet e ardhshme. Ne besojmë fuqimisht se Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Art do të luajë një rol kyç në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe në rritjen e kontributit tonë ndërkombëtar në fushën e shkencës dhe artit. Si koalicion VLEN, ne kemi treguar se jemi këtu për të sjellë ndryshime të prekshme dhe reale”, shtojnë nga VLEN.

Krerët e koalicionit “VLEN” kanë njoftuar se do të sigurohet financim komunal për shoqatën “Akademia e Shkencave dhe e Arteve Shqiptare”.

Financimi komunal, siç kanë njoftuar nga “VLEN” më herët, duhet të jetë një zgjidhje e përkohshme dhe do të kërkojnë që akademia të financohet nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, për këtë ide kanë reaguar partitë maqedonase.

“Në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (AShAM) ka shkencëtarë nga etni të ndryshme dhe aty duhet të fokusohemi për ta pasuruar me mendim shkencor”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Përmes një reagimi edhe LSDM është shprehur kundër hapjes së Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve.

“AShAAM duhet të mbetet institucioni i vetëm në të cilin anëtarësohen shkencëtarë të njohur nga të gjitha bashkësitë etnike. Edhe ASHAAM-ja duhet të jetë institucion që nuk guxon të jetë partiak apo të keqpërdoret nga individë për nevoja politike ditore. Kjo është diçka që ka ndodhur në të kaluarën. Por ajo që duhet të dijë opinioni është se çfarë premtoi Mickoski para formimit të Qeverisë lidhur me këtë kërkesë të VLEN-it? Kjo nuk është hera e parë që VLEN dhe drejtuesit e saj e përmendin Akademinë Shqiptare si projekt, por Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë heshtur me kokëfortësi”, thonë nga LSDM.

Reagim ka ardhur edhe nga lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, partia e të cilit është gjithashtu pjesë e koalicionit qeveritar. Sipas tij, bëhet fjalë për populizëm paszgjedhor nga ana e partnerit “VLEN”, e cila tha se duhet të jetë e orientuar drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik të shtetit, një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe një angazhim thelbësor për shtypjen e krimit dhe korrupsionit, duke përfshirë, siç thotë ai, dhe korrupsionin politik. Për këtë, sipas Dimitrievskit, duhet ofruar edhe kuadro me të kaluar të pastër pa krime.

BDI-ja ka thënë se “VLEN” është dashur ta marrë drejtimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, e jo, siç thonë ata, të dalë me “idenë e madhe komunale”.

Për këtë çështje është shprehur edhe akademiku Vlado Kambovski, i cili në një paraqitje tha se një strukturë e tillë është e pamundur të ekzistojë në një vend ku tashmë ekziston Akademia.