Komunat e Pollogut pa transport publik, sytë nga Tetova për ndihmë

Komunat të cilat gravitojnë rreth Tetovës nuk kanë transport publik, ndërsa transporti i banorëve kryhet nga transportues privatë. Qytetarët thonë se pavarësisht se zgjidhje kanë, transporti publik do ishte zgjidhje më e lirë për xhepin e tyre. Komunat “shfajësohen” kurse Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” shprehet e gatshme që t’i zgjerojë linjat edhe në komunat përreth, shkruan Portalb.mk.

Tearca, Zhelina, Bogovina, Jegunoci dhe Bërvenica janë pesë komunat rurale që gjenden në rrethinë të Tetovës, qytetarët e të cilëve nuk kanë transport publik.

Si zgjidhje alternative ata kanë minibusët e kompanive private por edhe taksitë. Të cilat shpesh janë edhe të kushtueshme.

Qytetarët thonë se çmimet e transportit janë rritur së fundmi, ndërkaq theksuan se nëse do kishte transport publik, çmimet do ishin më të lira, ashtu siç janë në Komunën e Tetovës.

“Nuk është se nuk kemi zgjidhje, ka kombi por normal më mirë do ishte me transport publik, sepse edhe çmimet do ishin më të volitshme”, tha një qytetar.

“Në vitin 2024 të mos kemi të rregulluara këto punë është për të ardhur keq, synojmë të jemi në Evropë kurse çështjet elementare nuk i kemi të zgjidhura, në Evropë linjat e transportit publik, autobusëve publik janë çdo pesë minuta kurse këtu nuk ka fare. Nuk është keq edhe me këto minibusët, por institucionet duhet të përkujdesen më tepër për qytetarët dhe të ua lehtësojnë atyre transportin”, tha një qytetar tjetër.

Në lidhje me këtë problematikë pyetëm komunat nëse kanë ndonjë plan, zgjidhje apo bashkëpunimi me Komunën e Tetovës.

“Komuna e Jegunocit nuk ka transport publik të autobusëve. Nuk kemi kërkuar që linjat e Tetovës t’i bashkohen Komunës”, thanë nga Komuna e Jegunocit.

Nga Komuna e Bërvenicës theksuan se Komuna e Tetovës nuk posedon licencë për linja ndërkomunale.

“Komuna e Bërvenicës dhe kryetari Jovica Ilievski kanë plan për këtë problem dhe për këtë jemi në negociata të avancuara me subjektin juridik Bashkim Tours, i cili posedon licencë ndërkomunale për transportin e udhëtarëve për futjen e një linje të rregullt, Tetovë – Bërvenicë dhe Bërvenicë – Tetovë, nga dhe drejt të gjitha vendbanimeve të komunës së Bërvenicës, duke filluar nga 01.09.2024”, thanë nga Komuna e Bërvenicës.

Nga Komuna e Zhelinës na njoftuan se transporti publik që bëhet për bartjen e nxënësve, shfrytëzohet edhe nga ana e qytetarëve.

Ndërkaq Komuna e Tearcës dhe e Bogovinës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Komuna e Tetovës ka pesë autobusë të cilët në kuadër në Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” funksionojnë në disa linja brenda territorit të kësaj Komune.

Nga kjo ndërmarrje për Portalb.mk thanë se janë duke menduar për transportin ndërkomunal.

“Kemi menduar që përveç linjave që i kemi, të zgjerohemi edhe më tej dhe të zhvillojmë transportin në zonat rurale të qytetit, gjithashtu kemi menduar të zhvillohet transporti ndërkomunal edhe atë duke përfshirë komunat: Zhelinë, Tearcë, Bervenicë dhe Bogovinë”, thanë nga NP “Tetova Transport”.

Përndryshe, mungesa e transportit publik është problematikë e shumë komunave rurale në vend. Një ndër to është edhe Likova, për të cilën Portalb.mk raportoi së fundmi.