Komedia “Çifti i Hapur” këtë të mërkurë rikthehet në Teatrin e Gostivarit

Satira mbi jetën e një çifti modern, nëpërmjet të cilit kritikohet realiteti i sotëm shoqëror, rikthehet në skenën e Teatrit të Gostivarit më 27 dhjetor, shkruan Portalb.mk.

Sipas aktorit Romir Zalla, që luan njërin prej protagonistëve, ky tekst i flet jetës bashkëshortore dhe në esencë është një tekst feminist, kurse aktorja që luan protagonisten, Suela Bako, fton veçanërisht secilën grua ta shohë këtë komedi.

“Çifti i Hapur” u shfaq fillimisht në Durrës, Shkup dhe Gostivar, por pas reagimeve të publikut, rikthehet edhe një herë para festave të fundvitit.

Pas shfaqjes do të ketë një koktel modest ku do shpërndahen edhe mirënjohje për ata që e kanë ndihmuar teatrin në mënyra dhe forma të ndryshme.

Rishfaqja mbështetjet nga BIBO GmbH, me seli në Hamburg si pjesë e fushatës “Dhuro biletë, dhuro buzëqeshje!”. Hyrja do të jetë falas.