Satki Ismaili, Bashkim Ziberi, Guximtar Rushani flasin për vitin 2023: Përmendin njerëz, ngjarje e institucione të suksesshme

Portalb.mk përmes një pyetësori të thjeshtë do të sjellë personalitete të ndryshme që do veçojnë suksesin e tyre për këtë vit, ngjarjen ose personalitetet që mendojnë se kanë bërë diçka të veçantë, institucionin më të rëndësishëm, po ashtu dhe qytetin më aktiv. Na ndiqni ditët në vijim, derisa numërimi mbrapsht të fillojë. Për çka do ta mbajmë mend vitin 2023? Të përgjigjemi së bashku! 

Satki Ismaili
Satki Ismaili

Sipas profesorit Satki Ismailit për këtë vit sukses më i madh për të këtë vit si mësimdhënës “është që arrita t’i realizoj qëllimet dhe pritshmëritë nga mësimdhënia dhe mësim nxënia me nxënësit e mi, të dëshmuara nga të dhënat para së gjithash nga nxënësit dhe të tjerët. I gjithë ky përkushtim u kurorëzua me shpalljen time si ‘’Mësimdhënës i vitit nga SHMM dhe ‘’Mirënjohje’’ për kontributin e dhënë në arsim nga MASH.”

Njerëz që veçon: Derisa përkushtimi im dhe shumë të tjerëve është i përkushtuar në arsim, unë për këtë vit do t’i veçoja këto persona për kontributin e vazhdueshëm në arsim: Lulzim Mehmedi, profesor në Fakultetin Pedagogjik në UT, Bashkim Ziberi, profesor në FSHMN në UT, Jeton Pustina, udhëheqës në Ansamblin muzikor, Arta Tahiri, gazetare në Alsat, Naser Miftari, profesor në SHM.”Zef Lush Marku”-Shkup, Hatixhe Topalli, mësimdhënëse në SHF ”Petar Zdravkovski Penko” – Shkup, Fadil Murtezani, drejtor në SHF ”25 Maji”- Hasanbeg, Shkup.

Nga institucionet veçon janë Këshilli Kombëtar Shqiptar në Kroaci dhe aktiviteti Trashëgimia Etnokulturore e Rekës së Epërme me autore Zejna Halimin. Shoqata për kulturë dhe art “TRADITA” – Tetovë dhe aktiviteti: Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” me organizator Selam Sulejmanin.

Aktivitetet që Ismaili i veçon: Reparti i radiologjisë-ISHP në Spitalin klinik të Tetovës me doktor Argjend Imerin. Më pas aktivitetet për ngritjen e vetëdijes për kancerin në gji “Tetori Rozë” në UT në Tetovë dhe Gjakovë. Klubi “Rotary” i Tetovës me kryetar Mislim Hasipin dhe Fondacionin Metamorfozis me konferencën: “Fake News: Distortion of Reality” në Tetovë.

Arritjet në shkencë sipas profesorit janë: Ministria e shoqërisë informatike dhe administratë (MSHIA) me aktivitetetin DigitalEra në krye me ministrin Azir Aliu, si dhe konferenca “Digital Transformation Challenges and Opportunities” në Shkup.

Mesazhi i fundvitit nga ai:

Uroj që në vitin e Ri 2024 të gjejmë forcë për të shtrirë duart ndaj sfidave dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në çdo hap. Le të jemi burime inkurajuese për njëri-tjetrin dhe të përkrahim një shoqëri të përkushtuar për mirëqenien dhe zhvillimin e përbashkët. Të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të krijojmë një mjedis ku solidariteti dhe respekti për çdo individ të jenë në qendër. Të bashkohemi për të ndikuar në ndryshimet pozitive dhe për të kultivuar një shoqëri më të drejtë dhe të afërt. Gëzuar Vitin e Ri, me shpresë për një të ardhme të ndritur dhe të suksesshme për të gjithë ne!

Bashkim Ziberi
Bashkim Ziberi

Cilat ishin sukseset e profesor Bashkim Ziberit për këtë vit?

Si suksese më të mëdha për këtë vit do të veçoja kontributin në promovimin e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë si në fushën e nanoteknologjisë ashtu edhe në atë të shëndetit global, veçanërisht kundër sëmundjeve kancerogjene si dhe pjesëmarrjen në samitin vjetor në Filadelfia të SHBA-ve. Theks të veçantë do të vendosja në motivimin e të rinjve për shkencat e natyrës siç ishte masterklasi i organizuar në UT ku morën pjesë mbi 200 nxënës të shkollave të mesme.

Njerëz që veçon…

Do të kisha veçuar punën e palodhshme të Dr. Arben Merkoçit për punën e palodhshme në nxitjen e bashkëpunimit të shkencëtarëve në rajon dhe më gjerë si dhe kolegun Kimeti Jusufit  për arritjet e tij në fushën e fizikës teorike.

Institucione që veçon

Padyshim shoqërinë kulturore artistike ‘’Xheladin Zeqiri’’ me drejtorin Jeton Pustina dhe Galerinë Nacionale me në krye drejtoreshën Dita Starova Qerimin për promovimin e vlerave artistike.

Arritje në teknologji

Padyshim arritja dhe sfida më e madhe që do vazhdojë të na ndjekë është inteligjenca artificiale dhe ChatGPT.

Qyteti im i preferuar ngelet padyshim Tirana.

Mesazhi im për të gjithë ne është të jemi më pozitiv, të respektojmë njëri- tjetrin, të respektojmë vlerat dhe virtytet e çdonjërit ashtu siç janë dhe të punojmë me përkushtim dhe profesionalizëm për zhvillimin e shoqërisë.

Guximtar Rushani
Guximtar Rushani

Sukseset e këngëtarit Guximtar Rushani

Jam munduar që të vazhdoj të kem kontinuitet në aktivitetin tim artistik. Ky mendoj se është edhe qëllimi i çdo artisti, pra që të jetë gjithmonë aktiv dhe që të ketë kontinuitet në realizimin e punëve të tyre qofshin ato mbrëmje muzikore, koncerte, apo edhe realizim të projekteve të reja muzikore. Andaj, edhe unë këtë gjë kërkoj nga vetja, që të punoj në aspektin artistik javë pas jave, muaj pas muaji dhe vit pas viti. Realisht kur një individ bën diçka që e do dhe e realizon me shumë dashuri dhe përkushtim, atëherë është e pamundur që të ndalet dhe të mos bëj atë që do. Sepse nuk është thjesht punë, por është edhe kënaqësi.

Personalisht kam realizuar disa projekte muzikore këtë vit, këngë dhe videoklipe, si edhe një numër shumë të madh të eventeve brenda dhe jashtë vendit. Uroj që të vazhdoj të punoj me tempon e njëjtë dhe dëshirën e njëjtë që kam për të bërë më të mirën në aktivitetin tim muzikor.

Njerëz që veçon për këtë vit

Ka patur shumë persona që janë spikatur gjatë vitit që lamë pas. Dikush ka bërë më shumë e dikush më pak. Për mua me rëndësi është që njerëzit të punojnë dhe të japim maksimumin e tyre në aktivitetin e tyre, qoftë ai aktivitet në sferën e kulturës dhe artit, qoftë në ndonjë sferë tjetër të jetës. Kur punojmë atë që dimë më mirë të bëjmë i japim vetes një kënaqësi të jashtëzakonshme, ndërkaq japim edhe kontributin tonë në shoqëri, kështu që frytet e punës të gjithsecilit nga ne i shijojnë të gjithë. Andaj edhe kjo është për mua shumë me rëndësi, që të gjithë ata që dinë të bëjnë diçka të mirë për veten e tyre dhe për shoqërinë, le të japin qoftë edhe një kontribut modest dhe të bëjnë diçka të vogël që do jetë një pjesë e vogël e kontributit gjithë shoqëror në vendin tonë apo rajon. Dua të veçoj këtu kontributin muzikor të koleges sime Venera Lumani dhe Lind Islamit, të cilët përveç se kanë qenë shumë aktiv gjatë gjithë vitit, ata edhe realizuan koncertin recital  të tyre të radhës në Tiranë, e që personalisht mendoj se ishte një organizimin shumë i arrirë artistikisht.

Institucioni ose aktiviteti që veçon

Mendoj që në vendin tonë duhet të realizohen më shumë aktivitete në të gjitha sferat e jetës. Në veçanti apeloj që të ketë sa më shumë organizime artistike dhe aktivitete në sferën e kulturës dhe artit. Nuk dua që të veçoj asnjë aktivitet të veçantë që mund të ketë qenë vërtetë për tu lavdëruar, sepse personalisht dëshiroj që të dhjetëfishohet numri i aktiviteteve kulturore në vendin tonë, e më tutje pastaj do kishim pasur mundësi që të gjithë që realisht të bëjmë ndonjë përcaktim konkret se cili aktivitet do kishte pasur më shumë merita për tu përmendur dhe veçuar. Andaj, çdo aktivitet i realizuar që në vetvete ka pasur qoftë edhe vlera minimale kulturore, për mendimin tim, është për t’u lavdëruar dhe komplimentuar.

Arritje në shkencë, mjekësi, teknologji

Këtë vit arritjet shkencore në botë ishin të shumta, gjithsesi këtu do shkruaj shkurt, ngaqë mendoj se krijimi i mundësisë së pasjes qasje online të Inteligjencës artificiale (e krijuar mbi të gjitha nga një shqiptare) bëri shumë bujë dhe mendoj se do jetë një hapësirë e re dhe një mundësi revolucionare për të ardhmen e teknologjisë informative në botë.

Mesazhi i fundvitit, urimi

Gëzuar për të gjithë! Qoftë një vit i mbarë! Uroj shumë shëndet dhe fat! Mbarësi dhe bereqet! Tolerancë ndër ne dhe mirëkuptim!