Komandanti i forcave të armatosura të Gjermanisë: Rusia po e kthen ushtrinë e saj drejt Perëndimit

Ushtria ruse po forcohet dhe rreziku prej saj po rritet, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura të Gjermanisë – Bundeswehr-it, Carsten Breuer, transmeton agjencia gjermane e lajmeve dpa.

“Shohim ushtrinë ruse duke lëvizur drejt perëndimit,” tha Breuer.

Në pesë deri në tetë vjet, forcat e armatosura të Moskës mund të sulmojnë materialisht dhe personalisht territorin e NATO-s, tha ai për Sächsische Zeitung.

Vlerësimet, shtoi ai, bazohen në analizat ushtarake, gjetjet e shërbimeve të inteligjencës dhe forcave të armatosura aleate, si dhe deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin.

“Ushtria ruse prodhon 1000 deri në 1500 tanke shtesë çdo vit. Pesë vendet më të mëdha evropiane anëtare të NATO-s kanë vetëm gjysmën e tyre në magazinë”, tha Breuer.

Bundeswehr-i, shtoi ai, ka rreth 300 tanke.

“Nëse kjo aftësi ushtarake kombinohet me qëllimin, i cili definitivisht mund të lexohet nga fjalimet e Putinit, duhet të na zgjojë. Detyra ime është të mendoj për atë skenar të rastit më të keq. Për Bundeswehr-in, kjo do të thotë se ne duhet të përgatitemi për këtë mundësi për pesë vjet”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Gjermane.

Breuer theksoi se ai nuk sheh asnjë tregues për distancimin e ushtrisë amerikane nga Evropa. Ai gjithashtu beson se Donald Trump, nëse bëhet sërish president, do të jetë në gjendje të njohë vlerën e NATO-s.

Ai kujtoi se ndërsa Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë, ai “brutalisht” ia bëri të qartë Evropës se ajo duhet të forcojë kontributin e saj në aleancë, gjë që ndodhi shumë më vonë pasi Rusia pushtoi Ukrainën.

Krahasuar me vitin 2020, kur vetëm dy ose tre anëtarë të NATO-s përmbushën udhëzimin e Aleancës për të investuar të paktën dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto në mbrojtje, më shumë se 20 vende të Aleancës e bëjnë këtë tani.