“Kleriku” që provokon me incidente në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi

Në fare pak raste në këto tri dekadat e post viteve ‘90 të historisë shqiptare të religjioneve, një klerik ka arritur të prodhojë lajme sa ai. Duke shfrytëzuar etjen e medias për skupe dhe paqartësinë e publikut për kanonet e religjionit, Nikolla Bllazhde, i njohur edhe si Nikolla Xhufka, përshfaqet me rolin e priftit misionar nacionalist dhe bën lajme të vazhdueshme me prononcimet e tij mediatike, pavarësisht mohimit nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Veç muajve të fundit në Shqipëri, sfida e tij tashmë është e shtrirë prej kohësh në Kosovë, shkruan Faktoje.al.

Ben Andoni

Aktakuza e prokurorisë speciale të Kosovës

Ndaj këtij personazhi dhe një kolegu të tij është ngritur një aktakuzë në javët e fundit. Fillimisht një gabim i Prokurorisë së Kosovës në komunikatën e 28 qershorit bëri që lajmi i aktakuzës të amplifikohej nga mediat shqipfolëse në kurriz të komunitetit serb, pasi u tha se akuza është ngritur ndaj dy qytetarëve serbë për nxitje të urrejtjes.

Komunikata u ndryshua në pak minuta. Prokuroria Speciale përcolli një njoftim të ri në të cilin deklaronte se në komunikatën e parë ishte bërë një gabim teknik.

“Të nderuar, ju lutem që komunikatën e mëparshme mos e publikoni pasi që është lëshuar me një gabim teknik. Andaj kërkoj mirëkuptimin nga ju që ta publikoni këtë komunikatë”- thuhet në njoftimin e dytë të PSRK-së.

Për atributet fetare të personave të akuzuar në fjalë, Thoma Dhima, zëdhënësi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka thënë për Faktoje se i ashtuquajturi prift Nikolla Bllazhde nuk ka tagër si prift i kësaj kishe.

“Sipas marrëveshjes mes shtetit shqiptar dhe kishës, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është i vetmi autoritet shpirtëror dhe zyrtar që garanton ruajtjen dhe promovimin e parimeve dogmatike dhe kishtare, e cila udhëhiqet nga organet e saj legjitime në përputhje me statutin dhe kanonet kishtare. Gjithçka është e sqaruar me deklaratën e Mitropolitit të Elbasanit para një viti, deklaratën e Këshillit Kishtar të Elbasanit, por edhe me deklarata të ndryshme të Kishës Ortodokse të Shqipërisë të përcjella në media” – shpjegoi zëdhënësi i Kishës Ortodokse.

Incidenti në kishën serbe në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Nikolla Bllazhdën dhe Lejdi Zagallin për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes. Bllazhde dhe Zagalli dyshohet se kanë mbajtur një liturgji në kishën në verilindje të Kosovës dhe kanë paralajmëruar Kishën Ortodokse Serbe se rrezikon “zjarret e ferrit” nëse përpiqet të ndërhyjë.

“Kisha Ortodokse Shqiptare i bën thirrje Kishës Serbe dhe Dioqezës së Rashkës dhe Patriarkut, Profirie: Mos guxo t’i afrohesh Ortodoksisë Shqiptare dhe Kishës Ortodokse “Fan Noli” në Rakinicë të Podujevës, sepse zjarri i ferrit të pret. Jeni një kishë dhunuese dhe një kishë anti-ligjore, jeni një kishë e mallkuar nga kisha e jonë Ortodokse e vërtetë Kombëtare shqiptare” – citohen në aktakuzë, fjalët e tyre.

Përsëri mediat njoftuan “telashet në të cilat ishin ngatërruar priftërinjtë shqiptarë” duke çuar më tej keqinformimin për dy personat në fjalë që sipas Kishës Orthodokse Shqiptare janë vetëshpallur priftërinj.

Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe gjeti argument për narrativën që Kosova po dëmton trashëgiminë serbe, ndaj menjëherë denoncoi veprimet e tyre, duke thënë se ishte një “akt kriminal”.

Një tjetër akt në serinë që synon uzurpimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Dioqeza Rashkë-Prizren ka vite që e ka theksuar procesin e përvetësimit kulturor të trashëgimisë sonë. Ky incident i fundit konfirmon pretendimet tona, këtë herë në një mënyrë të pamohueshme dhe jashtëzakonisht shqetësuese”, thuhet në reagimin e tyre.

Komiteti i Kulteve që mund të shërbente për të zbardhur gjendjen, pothuaj nuk ka folur. Në fakt, ai merret me politikat dhe jo me konfrontimet, por shqetësimi publik është për Kosovën, pasi serbët vazhdimisht e përdorin si argument, që shqiptarët po dëmtojnë trashëgiminë e tyre.

Në një deklaratë për Kosova Online, tre ditë pas liturgjisë, Kisha Ortodokse Shqiptare u distancua nga Bllazhda, duke e quajtur atë “mashtrues dhe një person që nuk është prift”.

Prokuroria Speciale ka trajtuar rastin dhe aktakuza në fjalë është dorëzuar në Gjykatën e Prishtinës për trajtim. Për rastin pritet të mbahet një proces gjyqësor ndërsa në mesin e dëshmitarëve ka edhe përfaqësues nga Kisha Ortodokse Serbe. Ndërkohë Kisha shqiptare është distancuar duke sjellë në vëmëndje marrëdhëniet e mira mes dy kishave tona.

Burimet zyrtare të Dioqezës së Rashkës-Prizrenit janë shprehur se“Kisha Ortodokse Serbe dhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë janë dy kisha motra autoqefale me juridiksionet e tyre dhe gëzojnë marrëdhënie jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore. Besimtarët ortodoksë nga Shqipëria i vizitojnë shpesh vendet tona të shenjta në Kosovë dhe në disa raste kanë shërbyer në gjuhën shqipe me priftërinjtë dhe murgjit tanë”.

Raste të mëhershme

Bllazhde mori vëmendje pak kohë më parë në Kosovë kur shkaktoi një incident në manastirin e Deçanit. Asokohe, (Bllazhde) Xhufka pretendoi se u nxor jashtë manastirit thjesht se ishte shqiptar. Në atë kohë, manastiri ka reaguar menjëherë, duke thënë se Xhufka ka tentuar të bëjë foto dhe video në këtë manastir me “qëllime nacionaliste provokuese”.

Në komunikatën e vet, Manastiri i Deçanit po ashtu theksoi se Xhufka nuk është dëbuar, ndërsa ata kanë njoftuar KFOR-in për aktivitetet e tij.

Mitropolia e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit gjithashtu është shprehur me shqetësim për Nikolla Bllazhde – Xhufkën.

E shohim me shqetësim mediatizimin e tij. Marrja e informacionit paraprak nga mediat për personin në fjalë, i cili nuk i përket asnjë komuniteti fetar, nuk ka asnjë autorizim, nuk ka formim përkatës dhe nuk përfaqëson askënd përveç vetes së tij, do e bënte të qartë përse nuk meriton të merret seriozisht”. – shkruante ajo. Ai shkoi edhe më tej. Në një nga aktivitetet e tij do të merrte pjesë edhe në një protestë, organizuar nga disa shoqata kundër ilegjitimitetit gylenist, madje duke lëshuar edhe një deklaratë.

Përfundim

Pavarësisht reagimeve të shumta publike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Nikolla Xhufka vijon të portretizohet si prift duke marrë edhe vëmendjen e mediave të mëdha në vend, duke nxitur përplasje dhe narrativa të pavërteta.

Prezenca më e madhe e tij ishte në mediat që kërkonin të nxirrnin fenomenin “ndryshe” të ortodoksisë shqiptare.