Këtë vit nga deponia e shkritores në Veles nuk është eksportuar asnjë ton mbeturinë

Edhe këtë vit nga deponia e shkritores në Veles nuk janë eksportuar asnjë ton mbeturina. Kodra e zezë nuk po zvogëlohet dhe ende paraqet një kërcënim për qytetin dhe banorët e tij. Vlerësohet se në deponi ka rreth dy milionë tonë zgjyrë, nga të cilat një pjesë e madhe janë mbeturina nga metalet e përpunuara në shkritore. Duke pasur parasysh se përmbajnë rreth 10 përqind zink, 1 përqind plumb, si dhe metale të tjera të rrezikshme si kadmiumi, bakri, arseniku, indiumi, taliumi, këto mbeturina duhet të shiten si lëndë e parë minerale teknogjene, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Edhe pse procesi për pastrimin e kësaj pike të nxehtë ekologjike filloi katër vjet më parë, deri më tani nga Velesi janë mënjanuar më pak se 500 tonë zgjyrë, të cilat u eksportuan në vitin 2019 dhe vitin 2020. Për momentin në këtë lokacion po instalohen pajisje dhe mekanizim, por tashmë prej kohësh nuk ka kurrfarë aktivitetesh për gërmim.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk thanë se këtë vit koncesioneri Keps Mont Group nuk ka raportuar për ndonjë aktivitet rreth deponisë. Nga atje theksojnë se përderisa është pronare e koncesionit, kjo kompani ka të drejtë ta menaxhojë dhe nga ajo pritet të punojë dhe të eksportojë.

“Këtë vit nuk kanë raportuar për eksport të lëndëve të para minerale teknogjene. Në vitin 2019 në Malajzi janë eksportuar 100 tonë sasi të lëndëve të para, ndërsa në vitin 2020 nga Velesi janë nisur 368,9 tonë të tjera për në Serbi, Shqipëri, Turqi dhe Kosovë”, njoftojnë nga Ministria.

Nga ana tjetër nga Komuna e Velesit theksojnë se leja e integruar B e lëshuar në vitin 2019 skadon muajin e ardhshëm, ndërsa në shtator  Keps Mont Group ka kërkuar rinovimin dhe ndryshimin e dokumentit. Koncesionerët kanë kërkuar leje për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale teknogjene me ndërtimin e një impianti për aktivitete shtesë për grimcim dhe bluarje në lokacionin “Bash Kolibi”.

Nga komuna thonë se në fillim të këtij muaji së bashku me një inspektor për mjedisin jetësor kanë inspektuar dhe konstatuar gjendjen faktike në lokacion dhe impiant, mbi bazën e të cilit është arritur në përfundimin se kërkesa duhet plotësuar dhe se koncesioneri brenda një afati prej 30 ditësh duhet ta dorëzojë dokumentacionin e plotë që të mund të prezantojë aktivitetet shtesë për të cilat ka bërë kërkesë.

“Afati për dorëzimin e kërkesës së plotë është 30 ditë pas pranimit të konkluzionit, të cilin kërkuesi e ka pranuar në datën 13 tetor. Nëse brenda këtij afati dorëzohet kërkesa e plotë, pastaj vijon shpallja publike për një periudhë 30 ditore, gjatë së cilës publikut do t’i mundësohet qasje e lirë për ta shqyrtuar kërkesën dhe për të dhënë sugjerime, vërejtje dhe komente. Lëshimi i lejes B të integruar do të vijojë në afat prej 60 ditësh pasi të ketë përfunduar afati për dorëzimin e mendimeve për kërkesën”, thonë nga Komuna e Velesit.

Koncesioneri Keps Mont Group në lejen e re të integruar B kërkon të prezantojë edhe dy aktivitete të reja, grimcimin dhe bluarjen e lëndës së parë, si përgatitje për eksport. Nga atje thonë se është blerë dhe instaluar një impiant i ri me kapacitet prej 30 mijë tonë në muaj, i cili do të duhet të ndajë metalet nga mbeturinat që ndër vite janë grumbulluar në deponi.

Për momentin jemi duke punuar në sigurimin e dokumentacionit që duhet ta dorëzojmë në Komunën e Velesit”, theksojnë nga Keps Mont Group.

Sipas hulumtimit të profesorit Trajçe Stafillov, deponia me zgjyrë e shkritores në Veles renditet e dyta në listën e vatrave më të rrezikshme historike ekologjike. Edhe pse shkritorja nuk është aktive prej shumë vitesh, pasojat ekologjike të deponisë ku ka përqendrime të larta të zinkut, plumbit dhe merkurit ndjehen edhe sot. Toka është shumë e ndotur dhe shkakton ndotje të ujërave nëntokësore dhe tokës, e kështu edhe të frutave, perimeve dhe drithërave që rriten në rajon.

“Si pasojë e përhapjes së këtij pluhuri nga deponia në ajër, toka ndotet shumë më intensivisht. Në një sipërfaqe prej 30 kilometrash katrorë të qytetit të Velesit, kemi konstatuar ndotje kritike të pothuajse shtatë kilometrave katrorë”, theksoi Stafillovuebinarin e organizuar nga Meta.mk ku temë ishin pikërisht pikat e nxehta ekologjike.

Shkritorja ka filluar të funksionojë në vitin 1973, ndërsa në vitin 2005 punimet në të u ndërprenë. Në periudhën që pasoi atë e bleu kompania private “Metrudhem”, e cila tentoi ta rivendoste në funksion në vitin 2011, por pa sukses. Në disa lokacione, rreth fabrikës dhe mbeturinave, por edhe në të gjithë qytetin, Ministria e Shëndetësisë bëri testimin e tokës, testime këto që dëshmuan praninë e metaleve të rënda, në radhë të parë plumbit dhe kadmiumit, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. Hulumtimet kanë treguar se toka është e ndotur në një rreze prej njëzet kilometrash, ndërsa ara në afërsi të deponisë ka ara ku kultivohet ushqim. Perimet që i konsumojnë banorët e Velesit përmbajnë 1.5 herë më shumë përqendrim të plumbit se sasitë e lejuara dhe 2.5 herë përqendrime më të larta të kadmiumit, ndërsa më të ndoturat janë perimet me gjethe.