Këtë vit në Maqedoninë e Veriut janë djegur aq pyje sa në dhjetë vitet e mëparshme së bashku

Në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), pjesë e programit të Kopernikut, transmeton Portalb.mk.

Në dhjetë vitet e mëparshme, mbi 400 zjarre pyjore dogjën rreth 100.000 hektarë. Viti më i vështirë paraprakisht ishte viti 2019, kur 29.807 hektarë u dogjën në 135 zjarre pyjore.

Një nga zjarret më të mëdha të pyjeve këtë vit ishte ai i Mariovës, ku u dogjën 11 mijë hektarë dhe më në fund u vu nën kontroll dje, tetë ditë pas shpërthimit.

Në përqindje, 3.6 përqind e sipërfaqes totale të vendit u dogj këtë vit.

Zjarret në Maqedoni në 10 vitet e fundit. (Foto: EFFIS)
Zjarret në Maqedoni në 10 vitet e fundit. (Foto: EFFIS)

Në gusht u aktivizua Mekanizmi për Mbrojtjen Civile të BE-së për shkak të numrit të madh të zjarreve në Maqedoni. Si rezultat, dhjetë ekipe zjarrfikëse ajrore nga gjashtë vende të ndryshme anëtare të BE-së u vendosën në të gjithë vendin për të luftuar zjarret.

Në Maqedoni sot nuk ka zjarre aktive pasi ka rënë shi dhe janë shuar të 22 zjarret e djeshme.

Ndryshe, zjarret kohët e fundit në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të shpeshta, kjo për shkak edhe të stinës së nxehtë të verës, por edhe për shkak të pakujdesisë së njerëzve.

Për shkak të zjarreve në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë shpalli gjendje krize për 30 ditë, e cila u vazhduar përsëri më 13 gusht dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.

Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.