Këshilli rinor nacional i Maqedonisë me thirrje për trajnimin e të rinjve në tema që lidhen me sipërmarrjen

Këshilli rinor nacional i Maqedonisë(KRNM) shpalli thirrje për trajnime në kuadër të projektit “Ndërmarrësia sociale për punësim të të rinjve”, të cilat janë të ndara në tri programe – për aftësi të buta, për ndërmarrësi dhe për mbledhje të mjeteve dhe komunikim me komunitetin, transmeton Portalb.mk.

KRNM informon se trajnimet janë të dedikuara për të rinjtë e papunë apo të rinjtë e punësuar në ndërmarrje sociale.

“Qëllimi kryesor i këtyre trajnimeve është zvogëlimi dhe neutralizimi i sfidave me të cilat përballen të rinjtë në përpjekjet e tyre për të krijuar ndërmarrjen e tyre sociale, si dhe do t’i ndihmojnë ata në rritjen dhe zhvillimin e tyre profesional”, thuhet në njoftim.

Nëpërmjet trajnimit të aftësive të buta, të rinjtë duhet të zhvillojnë aftësi të tilla si komunikimi, lidershipi, puna në grup, aftësitë profesionale, aftësitë e lehta IT etj. Në trajnimin për sipërmarrje, të rinjtë do të fitojnë njohuritë e nevojshme për të krijuar dhe menaxhuar ndërmarrjen e tyre sociale, si zhvillimi i një plani biznesi, njohja me dispozitat ligjore dhe administrative për fillimin dhe menaxhimin e një ndërmarrje sociale, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe rrjetëzimin.

Trajnimet për mbledhjen e fondeve dhe komunikimin në komunitet, nga ana tjetër, duhet t’i udhëzojnë të rinjtë se si të drejtojnë me sukses një fushatë për mbledhjen e fondeve për ndërmarrjen e tyre sociale dhe si të komunikojnë me komunitetin dhe grupin e tyre të synuar.

Kandidatët e interesuar për trajnim mund të regjistrohen në këtë link.

Projekti “Ndërmarrësia sociale për punësim të të rinjve” zbatohet nga Këshilli rinor nacional i Maqedonisë(KRNM), me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, projekti ofron mundësi për ngritjen e kapaciteteve të të rinjve të papunë, duke i udhëhequr njëkohësisht ata në një proces të vetëzhvillimit dhe rritjes në fushën e sipërmarrjes sociale, si një mënyrë moderne e vetëpunësimit.