Këshilli i BE-së: Maqedonia e Veriut të reformojë gjyqësorin dhe t’i bëjë ndryshimet kushtetuese sa më shpejt

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (KÇP) u takua dje në Bruksel, më 12 dhjetor. Këshilli nxorri konkluzionet që u morën për të gjitha vendet, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli është i gatshëm të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare, pa vonesa të mëtejshme dhe pa vendime shtesë politike, sapo Maqedonia e Veriut të ketë zbatuar zotimin e saj për të përfunduar ndryshimet kushtetuese siç përmenden në Konkluzionet e Këshillit të korrikut 2022, në përputhje me procedurat e saj të brendshme. Këshilli i bën thirrje Maqedonisë së Veriut që të përshpejtojë përfundimin e këtyre ndryshimeve. Më pas, Këshilli është i gatshëm të hapë grupin e parë negociues sa më shpejt që të jetë e mundur, në përputhje me Kornizën Negociatore, transmeton Portalb.mk.

Këto janë konkluzat për Maqedoninë e Verut:

  • Këshilli inkurajon të gjitha partitë në parlament që të fokusohen në avancimin e reformave të lidhura me BE-në dhe procesin e anëtarësimit në BE.
  • Këshilli mirëpret nivelin e përgatitjes së Maqedonisë së Veriut në fushat kyçe dhe nënvizon rëndësinë e përshpejtimit të reformave të orientuara drejt BE-së dhe konsolidimit të mëtejshëm të zbatimit, veçanërisht në fushat e bazave dhe sundimit të ligjit. Maqedonia e Veriut duhet të ofrojë pavarësinë, profesionalizmin dhe paanshmërinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformën e administratës publike. Këshilli shpreh shqetësime serioze për disa ndryshime në Kodin Penal, që prekin një numër të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe për ndikimin e jashtëm të panevojshëm në punën e Këshillit Gjyqësor dhe të gjyqësorit. Këshilli gjithashtu i bën thirrje Maqedonisë së Veriut që të vazhdojë përpjekjet e saj për të forcuar më tej të drejtat themelore, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave ose komuniteteve, lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.
  • Këshilli rikujton nevojën për përfundimin e rishikimit dhe zbatimin e legjislacionit zgjedhor të reformuar në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë.
  • Sa i përket kritereve ekonomike, Këshilli mirëpret përparimin e bërë, veçanërisht në fushën e qëndrueshmërisë fiskale, dhe inkurajon Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë përpjekjet për të përmbushur më tej kërkesat e tregut të brendshëm të BE-së dhe për t’u përballur me presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Unionit.
  • Këshilli vëren se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të Procesit të Stabilizim-Asociimit. Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit në mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, duke përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin me Bullgarinë
  • Këshilli lavdëron fuqimisht Maqedoninë e Veriut për bashkëpunimin e saj të qëndrueshëm në çështjet e politikës së jashtme dhe në veçanti përafrimin e saj të plotë me CFSP-në e BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së – një shprehje e fortë e përkushtimit strategjik të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Këshilli mirëpret pjesëmarrjen e vazhdueshme aktive të Maqedonisë së Veriut në misionet dhe operacionet e BE-së në kuadër të CSDP-së së BE-së. Këshilli gjithashtu përgëzon Maqedoninë e Veriut për rolin e saj aktiv në një kontekst kompleks gjeopolitik gjatë mandatit të saj si kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Kujtojmë se sot, më 13 dhjetor do të zhvillohet Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ndërsa më 14 dhe 15 dhjetor ministrat do të përgatiten për takimin e Këshillit Evropian.

Në fund të samitit midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të duhet të miratohet draft-deklaratë deri te e cila ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë. Madje, në draft-deklaratën thuhet se harmonizimi me politikat e BE-së është shenjë e qartë për orientimin strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurdoherë, në kontekst të luftës agresive ruse kundër Ukrainës dhe sfidat e tjera të sigurisë.

“Vizioni i përbashkët për ardhshëm përfshin vlera të përbashkëta dhe përgjegjësi të përbashkët. Derisa e thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ju bëjmë thirrje që të bëjnë progres të shpejtë dhe të qëndrueshlm ndaj harmonizimit të plotë me politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë edhe masat restriktive të BE-së, si dhe të veprojnë në pajtueshmëri me të”, thuhet në draft-deklaratën.