KE: Me padurim presim fillimin e negociatave me RMV-në pas përmbushjes së kritereve të dakorduara

Qëndrimi ynë është i qartë – presim me padurim fillimin e negociatave të kapitujve me Shqipërinë dhe sa më shpejt me Maqedoninë e Veriut, pasi vendi të përmbushë kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli, transmeton Portalb.mk.

Kështu deklaroi sot zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE) për zgjerimin, politikën e fqinjësisë dhe partneritetet ndërkombëtare, Ana Pisonero, lidhur me vendimin e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në BE, për ndarjen e rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE.

Nën “kriteret përkatëse”, siç tha, janë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

“Këshilli Evropian i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut që të përshpejtojë zbatimin e këtyre ndryshimeve”, tha Pisonero dhe shtoi se vendimet për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit janë në kompetencë të shteteve anëtare të BE-së, jo të KE-së.

Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së sot në një deklaratë për MIA-në konfirmoi se Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në BE ka marrë vendim që më 15 tetor Shqipëria të vazhdojë procesin e negociatave për anëtarësim në Union , duke hapur Klasterin 1 – “Vlerat Themelore”.

Rruga e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’u bashkuar në BE u bashkua dhe të dy vendet filluan së bashku negociatat e anëtarësimit në korrik 2022.

Ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese ka qenë temë debati edhe para disa viteve, kur Holanda e pengonte procesin eurointegrues të Shqipërisë. Në atë periudhë kërkohej ndarja e Maqedonisë nga Shqipëria.