Katër serbë të Kosovës kandidatë për deputetë në Serbi nga partia e Vuçiqit

Katër qytetarë serbë nga Kosova janë kandidatë për deputetë të Kuvendit Popullor të Serbisë në zgjedhjet që janë planifikuar të mbahen më 17 dhjetor. Nga 250 kandidatë në tërësi që i përkasin partisë së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, Partisë Progresive Serbe (SNS), përveç, ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq i cili është i renditur i 27-i në listën e Komisionit Zgjedhor të Serbisë të siguruar nga KALLXO.com, figurojnë edhe emrat dhe pozitat e tre serbëve tjerë të Kosovës.

Goran Rakiq ka qenë lider i Listës Serbe deri më 24 tetor kur kjo parti zgjodhi në krye të saj mjekun Zllatan Elek. Ndryshimet në kryesinë e partisë u bënë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Millan Radoiçiq, i cili ishte nënkryetar i Listës Serbe mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe dha dorëheqjen nga ajo pozitë.

Kandidatja tjetër në zgjedhjet e 17 dhjetorit është Danijela Vujiçiq nga Mitrovica e Veriut. Ajo është renditur e 42-ta në listën e partisë së Vuçiqit. Vujiçiq ka qenë kryetare e Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015.

Pas prezantimit të draft-statutit të Asociaconit të Komunave me Shumicë Serbe, më 2 maj në Bruksel, më 3 maj, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kishte marrë vendim që të shkarkoj nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiçiq, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

Kandidatja tjetër nga po e njëjta parti është Sonja Iliq nga Graçanica, e 93-ta ne Listen e SNS e cila figuron me pozitën e doktoreshës në Graçanicë, e sipas të dhënave online, Iliq punon në Spital të Graçanicës.

Kurse, kandidati tjetër nga SNS është Dejan Gureshic nga Mitrovica Veriore, i 82-i në Listen e SNS, profesor i Kimisë në Universitetin paralel në Mitrovicë të Veriut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliq, më 1 nëntor njoftuan shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në disa qytete dhe komuna, përfshirë në Beograd.

Me shpalljen e zgjedhjeve, Vuçiq ka shpërndarë Parlamentin serb që u zgjodh më 3 prill 2022, pas propozimit të Qeverisë serbe më 30 tetor.

Fushata parazgjedhore ka nisur zyrtarisht në Serbi.