Katër kandidatë për të parin e partisë, LSDM-ja miratoi kandidaturat
Zyrtarisht në garë për kryetar të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM) janë katër dhe jo pesë kandidatë, Komisioni Qendror Zgjedhor i partisë miratoi kandidaturat për zgjedhjet e jashtëzakonshme brendapartiake të 30 qershorit, raporton Portalb.mk.
Sipas Komisionit u konfirmuan katër kandidatë për kryetar të partisë:
- Venko Filipçe (ish ministër i Sëndetësisë),
- Sllavjanka Petrovska (ish ministre e mbrojtjes),
- Jovan Despotovski (drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike),
- Aleksandar Bajdevski ( zëvendësministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës)
Komisioni rrëzoi kandidaturën e Zllatko Ristevskit.
“Komisioni konstatoi se nuk mund të konfirmohet kandidatura e Zlatko Ristevskit nga Manastiri për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara me Statut dhe Rregullore”, informuan nga LSDM.
Zgjedhjet e brendshme partiake në LSDM pasojnë pas dorëheqjes së kryetarit Dimitar Kovaçevski, i cili së bashku me kryesinë e partisë dha dorëheqje pas disfatës në zgjedhjet e dyfishta.
Në zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV që u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale, LSDM fitoi vetëm 18 mandate deputetësh. Ky rezultat u vlerësua si një humbje e thellë e LSDM-së, parti e udhëhequr në dy vitet e fundit nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Të dielën, LSDM-ja do të mbajë kongresin e llogaridhënies për rezultatet e dobëta të zgjedhjeve.