Kamerfest dhe Siparantum, mes tingujve dhe shkronjave u shënua 115 vjetori i Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Duken si një trup i vetëm skenik, i organizuar shumë mirë me koreografi, performancë, recitim dhe me vepra të zgjedhura nga kompozitorë të njohur. Kështu mbrëmë u festua në Shkup 22 Nëntori me Skupi Kamerfestin, edicionin e VI që e organizon shoqata Muza dhe që ishte mbrëmja përmbyllëse për sivjet, njofton Portalb.mk

Kori Siparantum në performancën e mbrëmshme
Kori Siparantum në performancën e mbrëmshme

Ambasada e Kosovës në Maqedoni  ishte bashkë-organizatore e edicionit të VI-të Skupi Kamerfest, nën drejtimin e drejtorit artistik Blerim Grubi dhe kontributin e dirigjentit Memli Kelmendi. Ky edicion u organizua në vigjilje të shënimit të 115 vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe. I pranishëm ishte dhe ambasadori i Kosovës Florian Qehaja i cili mes të pranishmëve shprehu kënaqësinë që po përjetonte këtë mbrëmje në Shkup si dhe i uroi të gjithë shqiptarët për nderë të festave të rëndësishme të Nëntorit.

Profesori Blerim Grubi në uratën e tij theksoi që kjo festë duhet të shënohet edhe në Kosovë e Shqipëri, ashtu siç është dhe në Maqedoni.

Për një orë e dhjetë minuta sa zgjati programi, publiku i mahnitur nga performanca e anëtarëve të korit dhe e dirigjimit me duartrokitje të pandalshme dëshmuan se jo vetëm që nuk ishin bezdisur, por ishin në gjendje të vazhdonin edhe për një ore tjetër e më shumë të dëgjonin këtë kor bashkëkohor i cili edhe pse i ri në formim, akoma nuk e ka mbushur dekadën e parë të ekzistencës ka arritur Kosovën ta përfaqësoj ndërkombëtarisht në vende të ndryshme dhe të sjellë shumë çmime. Edhe pse Memli është dirigjenti, ai po ashtu merret dhe me koreografinë, aftësi plus që e ka fituar nga bashkëpunimet e tija në teatër.

Afishe e ngjarjes
Afishe e ngjarjes

Entuziazmi i grupit dhe vullneti për punë ishte i  madh, sa dukej e pamundur ta besoje se ky kor punon në baza vullnetare, gjegjësisht punojnë dhe të vetmin shpërblim që marrin është mbështetja morale dhe çmimet, pavarësisht përkrahjes që marrin nga institucionet për prezantime në gara, jashtë kësaj ky kor punon pa kompensim material. Programi që kishin përgatitur për 22 Nëntor, ishte krejtësisht i ri dhe përfshinin vepra të njohura shqipe e të huaja, përfshirë dhe një vepër të vet Kelmendit.

Memli Kelmendi , ndryshe para ca ditësh ndau lajmin e mirë se është zgjedhur në Këshillin Drejtues të World Choral Conducting Network (WCCN) dhe është njëri prej anëtarëve themelues të këtij rrjeti të madh.