Japonia dhuroi aparat të lëvizshëm me rreze X me vlerë prej 60,540 euro për Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve Shkup
Në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve është siguruar një aparat digjital mobil për rreze X me mbështetje nga Ambasada e Japonisë. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Besim Memedi, tha se bëhet fjalë për një aparat digjital mobil për radiografi, me vlerë mbi 60 mijë euro, transmeton Portalb.mk.
“Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor për pacientët më të vegjël. Shpreh mirënjohje të thellë ndaj Ambasadës së Japonisë, e në veçanti ndaj ambasadores, Sesuko Kawahara, për angazhimin e saj personal dhe për bashkëpunimin e gjatë, miqësor dhe të frytshëm.Ky donacion është një tjetër dëshmi për partneritetin e fortë ndërmjet dy vendeve tona dhe për kujdesin e vërtetë të Japonisë në ndërtimin e një sistemi shëndetësor rezistent dhe human”, deklaroi Memedi.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen edhe ndaj Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vendin tonë, si dhe ndaj shefit të saj, Akim Ali, për mbështetjen në zhvillimin e politikave shëndetësore.
Ambasadorja e Japonisë në vendin tonë, Sesuko Kawahara, kujtoi se në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët janë realizuar tashmë mbi 70 projekte në sektorin shëndetësor dhe theksoi se mbështetja për këtë klinikë përfaqëson një përfitim për pacientët nga i gjithë vendi.
Gjithashtu, drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi, shprehu mirënjohje për kontributin e rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në këtë klinikë, si një institucion terciar i nivelit të lartë që çdo vit trajton mbi pesë mijë fëmijë me gjendje shëndetësore nga më të ndërlikuarat.
“Kjo për ne përfaqëson një përparim të rëndësishëm në përmirësimin e kujdesit për pacientët më të vegjël dhe një hap përpara drejt avancimit të shërbimeve shëndetësore për ta”, përfundoi Memedi.