Janë siguruar mjete për furnizimin e 150 autobusëve elektrikë për Shkupin dhe komunat
Janë siguruar mjete për furnizimin e 150 autobusëve elektrikë për Shkupin dhe komunat, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas shpalljes së prioriteteve të programit për vitin 2026 nga Agjencia Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet “Erasmus +” në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, raporton MIA.
Për furnizimin e autobusëve do të shfrytëzohet kredi me një afat të përgjithshëm shlyerjeje prej 15 vitesh dhe një normë interesi prej 3,25 për qind përmes një marrëveshjeje ndërqeveritare me Hungarinë.
Mickoski theksoi se kredia do të jetë me të njëjtat kushte si edhe paraprakisht, me një normë interesi prej 3.25 për qind, një grejs-periudhë trevjeçare dhe 12 vjet shtesë shlyerjeje, që do të thotë gjithsej 15 vjet huamarrje të shtetit në kuadër të partneritetit strategjik me qeverinë hungareze.
“Në seancë qeveritare morëm një vendim që në kuadër qeveri me qeveri marrëveshjen që kemi me Hungarinë një pjesë do të jetë kredi në kushte të njëjta që i kishim në rastin paraprak, gjegjësisht tre vjet grejs-periudhl dhe 12 vjet shtesë shlyerjeje, që do të thotë 15 vjet me të njëjtën normë interesi”, tha Mickoski.
Qyteti i Shkupit, shtoi, paraprakisht kishte kërkuar 250 autobusë, por, siç tha, në këtë fazë do të marrë një pjesë prej tyre së bashku me karikues, ashtu si edhe komunat e tjera që kanë transport publik të organizuar, për të cilat Mickoski tha se do të marrin edhe një pjesë nga autobusët e kërkuar.
“Qyteti i Shkupit në një anketë paraprake kërkoi 250 autobusë të tillë, për të do të ndahen 100 autobusë me 50 karikues, ndërsa komunat e tjera, që kanë transport urban të organizuar, kërkuan, mendoj se ishin 89 autobusë, ndërsa do të marrin 50 me 25 karikues”, tha Mickoski.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në qershor shpalli tender për blerjen e 120 autobusëve ekologjikë, prej të cilëve 80 ishin paraparë për Shkupin, ndërsa 40 për t’u shpërndarë në qytete të tjera.
Për zgjidhjen e kaosit në transportin publik, kryetari Gjeorgjievski sheh si zgjidhje Transportin e Shpejtë me Autobusë (BRT), i cili ishte nisur në kohën e ish-kryetarit Petre Shilegov, por u ndërpre gjatë mandatit të Danella Arsovskës dhe u bllokua nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së.
Gjeorgjievski, gjatë fushatës zgjedhore dhe më pas edhe pas marrjes së detyrës, deklaroi se këtë vit në buxhet do të parashikohen mjete për vazhdimin e realizimit të projektit.
Për këtë projekt, Qeveria në kohën e LSDM-së kishte marrë kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 70 milionë euro.
Kujtojmë se viteve të fundit transporti publik në kryeqytet ka qenë në kolaps dhe është përballur me probleme të mëdha.
- LEXO: Nuk ka autobusë të rinj, Qyteti i Shkupit pret furnizimin nga Qeveria, tenderi nuk është shpallur ende
- LEXO: U anulua tenderi për prokurimin e 120 autobusëve elektrikë në RMV, e vetmja kompani që aplikoi nuk i plotësonte kushtet
- LEXO: Qeveria e RMV-së e miratoi informacionin për blerjen e 120 autobusëve ekologjikë