Nuk ka autobusë të rinj, Qyteti i Shkupit pret furnizimin nga Qeveria, tenderi nuk është shpallur ende

Nuk ka autobusë të rinj në rrugët e Shkupit ndërsa edhe më tej qarkullohet me orar të reduktuar, pa numër të mjaftueshëm automjetesh, transmeton Portalb.mk.

Siç raporton SDK, Qyteti i Shkupit këtë vit nuk planifikon të blejë autobusë të rinj, sepse siç e ka theksuar disa herë kryetari Orce Gjeorgjievski, mjetet do të sigurohen nga Qeveria.

Megjithatë, tenderi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve ende nuk është shpallur, ndaj në gjysmën e parë të këtij viti nuk do të ketë autobusë të rinj.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në qershor shpalli tender për blerjen e 120 autobusëve ekologjikë, prej të cilëve 80 ishin paraparë për Shkupin, ndërsa 40 për t’u shpërndarë në qytete të tjera.

Por tenderi dështoi, pasi e vetmja kompani që kishte aplikuar nuk i plotësonte kushtet e nevojshme. Që atëherë kanë kaluar gjashtë muaj, ndërsa një tender i ri ende nuk është shpallur.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se, në bashkëpunim dhe koordinim me institucione të tjera, janë në proces të përgatitjes së procedurës sipas modeleve më të mira për realizimin e prokurimit publik të autobusëve të rinj.

Nuk saktësuan se kur do të shpallet tenderi dhe as nëse autobusët do të mbërrijnë këtë vit në rast se tenderi rezulton i suksesshëm, duke pasur parasysh se nevojitet kohë për prodhimin e tyre.

Për zgjidhjen e kaosit në transportin publik, kryetari Gjeorgjievski sheh si zgjidhje Transportin e Shpejtë me Autobusë (BRT), i cili ishte nisur në kohën e ish-kryetarit Petre Shilegov, por u ndërpre gjatë mandatit të Danella Arsovskës dhe u bllokua nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së.

Gjeorgjievski, gjatë fushatës zgjedhore dhe më pas edhe pas marrjes së detyrës, deklaroi se këtë vit në buxhet do të parashikohen mjete për vazhdimin e realizimit të projektit.

Për këtë projekt, Qeveria në kohën e LSDM-së kishte marrë kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 70 milionë euro.

Kujtojmë se viteve të fundit transporti publik në kryeqytet ka qenë në kolaps dhe është përballur me probleme të mëdha.