Ja pse Bosnja është shembull i fleksibilitetit të Bashkimit Evropian gjatë dhënies së kushteve të anëtarësimit

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Lajmi kryesor në lidhje me zgjerimin nga seanca e marsit e Këshillit Evropian të BE-së ishte vendimi për fillimin e negociatave me Bosnje e Hercegovinën. Dhe ky vendim është sigurisht pa një datë të caktuar. Korniza negociuese duhet të propozohet nga Komisioni, por ajo duhet të miratohet atëherë kur të përmbushen “të gjithë hapat relevantë” të vendosur nga Komisioni në tetor të vitit 2022.

Shembulli i Bosnje e Hercegovinës është ndoshta më ilustruesi për ta kuptuar fleksibilitetin e kushtëzimit të Bashkimit Evropian në zgjerim, i cili është e theksuar veçanërisht që kur Ukraina hyri në atë proces.

Mendimi i Komisionit Evropian për aplikimin për anëtarësim të Bosnje e Hercegovinës të vitit 2019 ishte në fakt negativ, sipas Komisionit, ajo nuk përmbushte “mjaftueshëm” kriteret politike. Për të avancuar në integrimin me BE-në, atëkohë Komisioni i caktoi Bosnje e Hercegovinës 14 prioritete për fillimin e negociatave. Vetë numri i prioriteteve nuk pasqyron vëllimin e tyre, sepse në kuadër të tyre janë përfshirë shumë nënpika. Madje edhe më pak e pasqyron kompleksitetin e tyre. Dhe sipas fjalëve të Komisionit Evropian këto 14 prioritete nënkuptojnë një avancim të plotë të kornizës legjislative dhe institucionale. Në fakt, ato nënkuptuan shumë më tepër, ndryshime në rregullimin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, të vendosur nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e vitit 1995.  Për shembull, një nga këto prioritete është zbatimi i vendimit Sejdiç-Finci të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga viti 2009. Sipas këtij vendimi tashmë historik të Gjykatës, pamundësia e paditësve, të cilët nuk janë përfaqësues të njërit prej tre kombeve përbërëse të Bosnje e Hercegovinës, për t’u zgjedhur në Presidencë dhe në Dhomën e Popujve në fakt përbën diskriminim. Natyrisht, ky vendim nuk është zbatuar.

Dhe kur Bosnje e Hercegovina dukej e ngecur thellë në zbatimin e prioriteteve, erdhi vendimi për t’i dhënë statusin kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, në një mënyrë të përshpejtuar dhe shumë më të lehtë se sa për çdo vend nga Ballkani Perëndimor. Komisionit iu deshën 3 vjet për të përgatitur një mendim negativ për aplikimin e parashtruar për anëtarësim të Bosnje e Hercegovinës, mendim prej 17 faqesh, me një raport analitik të bashkëngjitur prej 185 faqesh) dhe pak më shumë se tre muaj për të përgatitur një Mendim pozitiv për Ukrainën, prej 30 faqesh (pa raport analitik. Përveç marrjes më të lehtë të statusit kandidat, në qershor të vitit 2022 Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia morën edhe kushte shumë më të lehta për fillimin e negociatave. Kësaj radhe ato “kushte” nuk u quajtën “prioritete” por “hapa”.

Një padrejtësi e tillë aq e dukshme ndaj Bosnje e Hercegovinës duhej korrigjuar në një farë mënyre, pas reagimeve që erdhën nga të gjitha anët. Prandaj, në të njëjtën seancë kur i dha statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, Këshilli Evropian deklaroi se ishte i gatshëm t’i jepte statusin e kandidatit edhe Bosnje e Hercegovinës. Prandaj, kur kërkoi nga Komisioni Evropian të raportojë për ecurinë e 14 prioriteteve, ai kërkoi t’u kushtohet vëmendje e veçantë atyre që përfaqësojnë “një përmbledhje thelbësore reformash” në mënyrë që Këshilli Evropian të vendosë për kandidaturën. Kjo ishte formula për të ndryshuar praktikisht kushtet dhe për të përcaktuar vetëm ato që janë realisht të realizueshme në kontekstin aktual, në mënyrë që Bosnje e Hercegovina të mund të ecë përpara. Reduktimi i kushteve në 8 “hapa” shumë më të thjeshta se 14 prioritetet, i mundësoi Bosnje e Hercegovinës të sigurojë statusin e kandidatit dhe një vendim për fillimin e negociatave duke i përmbushur gradualisht ato. Ato ende nuk janë zbatuar plotësisht, ndaj do të mbeten të vlefshme për fazat e mëtejshme të procesit.

Fakti është se këto kushte të lehtësuara i mundësuan Bosnje e Hercegovinës, pas një kohe të gjatë të ecë përpara në agjendën e integrimit evropian. Dhe, sigurisht, qasja e ndryshuar ndaj Bosnje e Hercegovinës duhet të përshëndetet. Megjithatë, disa analistë e konsiderojnë këtë si “pak si shumë vonë”. Disa, nga ana tjetër, supozojnë se do të kishte qenë shumë më e dobishme nëse një qasje e tillë ndaj këtij vendi do të ishte bërë pas përfundimit të luftës ose të paktën në një kohë tjetër, për shembull para pesëmbëdhjetë vjetësh, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Sado që dëshirojmë me gjithë zemër të bëjmë tifo që Bosnje e Hercegovina të mbetet një fitim kolateral në këtë proces, për fat të keq, duhet të pranojmë se ka shumë sfida për këtë. Shumë prej tyre varen nga vetë faktorët e brendshëm politikë. Megjithatë, ato varen shumë edhe nga faktori ndërkombëtar, i përfaqësuar në vend nëpërmjet Përfaqësuesit së Lartë, i cili nga viti 2021 e në vazhdim është shumë më i gatshëm të përdorë të ashtuquajturat Kompetencat e Bonit – domethënë të marrë vendime kur autoritetet kombëtare nuk munden. Së fundi, është reale të pritet që shtetet fqinje anëtare të BE-së, për momentin është vetëm Kroacia në fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit të përfshijnë interesat e tyre në vendosjen e kushteve.