Izraeli vrau komandantin e lartë të Hezbollahut Ibrahim Aqil

Izraeli vrau një komandant të lartë të Hezbollahut në një sulm ajror në periferitë jugore të Bejrutit të premten, thanë dy burime sigurie në Liban, duke përshkallëzuar ashpër konfliktin njëvjeçar midis Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk.

Objektivi ishte komandanti i operacioneve të Hezbollahut, Ibrahim Aqil, i cili shërben në organin më të lartë ushtarak të grupit, thanë dy burime sigurie në Liban dhe Radioja e Armatës Izraelite. Aqil u vra së bashku me anëtarët e njësisë elitare të Hezbollahut Radwan Unite teksa po mbanin një takim, tha një nga burimet e sigurisë.

Si pasojë e sulmit, mbetën të vrarë tetë persona dhe u plagosë 59 të tjerë, tha ministria e shëndetësisë e Libanit.

Sulmi i shkaktoi një goditje tjetër Hezbollahut pasi grupi pësoi një sulm të paprecedentë në fillim të kësaj jave, në të cilin pejger-at dhe walkie talkies-it e përdorura nga anëtarët e tij shpërthyen, duke vrarë 37 njerëz dhe duke plagosur mijëra të tjerë. Ai sulm besohej gjerësisht se ishte kryer nga Izraeli, i cili as nuk e ka konfirmuar as nuk e ka mohuar përfshirjen e tij.

Mbrojtja civile tha se ekipet e saj të shpëtimit po kërkonin njerëz nën rrënojat e dy ndërtesave të goditura në sulmin e së premtes.

Ushtria izraelite tha se kishte kryer një “sulm në shënjestër” në Bejrut, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Kjo është hera e dytë në më pak se dy muaj që Izraeli ka vënë në shënjestër një komandant kryesor ushtarak të Hezbollahut në Bejrut. Në korrik, një sulm ajror izraelit vrau Fuad Shukr, komandantin më të lartë ushtarak të grupit.

Edhe pse Izraeli deri më tani ka qëndruar i heshtur për sulmet befasuese, burimet e sigurisë i thanë Reuters se ato ka të ngjarë të ishin kryer nga agjencia izraelite e spiunazhit Mossad.