Izraeli legalizoi vendbanimet e kolonëve në Bregun Perëndimor

Politika e Izraelit për të kolonizuar Bregun Perëndimor po përballet me kritika të shtuara ndërkombëtare. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë javën e kaluar e shpalli pushtimin izraelit të Bregut Perëndimor të jashtëligjshëm, por siç njofton Zëri i Amerikës, Izraeli po vazhdon me zgjerimin e kolonive në këtë territor.

Një grusht familjesh izraelite në koloninë Evjatar në pjesën veriore të Bregut Perëndimor jetojnë në shtëpi të përkohshme dhe kushte të vështira. Por ata besojnë se po i kontribuojnë sigurisë së shtetit të Izraelit.

Serach Lisson jeton këtu me shtatë fëmijët e saj.

“Prania ime këtu është e rëndësishme jo vetëm për mua por për të gjithë hebrenjtë. Dhe jo vetëm këtu në Evjatar por për tërë shtetin e Izraelit. Në dymijë vjetët e fundit hebrenjtë kanë jetuar në vende të ndryshme të botës dhe gjithmonë ato kanë bërë përpjekje të na vrasin”, thotë ajo.

Vendbanimi Evjatar është një nga pesë kolonitë që qeveria izraelite i legalizoi së fundmi, që do të thotë se ato mund të zgjerohen, në to mund të ndërtohen shtëpi të përhershme dhe se ato do të përfitojnë nga zhvillimi i infrastrukturës. Vendbanimi Havat Gilad në zonën Shomron të Bregut Perëndimor ende nuk është legalizuar. Por koloni Jehuda Shimon thotë se ai dhe 10 fëmijët e tij kanë të drejtën hyjnore të jetojnë këtu.

“Nuk dua që dikush nga jashtë të vijë dhe të më tregojë se cilat janë të drejtat e mia. Ko është toka ime. Unë jetoj këtu”, thotë ai.

Shumë nga këto koloni konsideroheshin të jashtëligjshme në bazë të ligjeve izraelite dhe disa prej tyre janë shkatërruar me forcë. Por qeveria e tanishme e vijës së ashpër në Izrael ndau miliona dollarë për të lejuar zgjerimin e kolonive dhe është në proces e sipër të legalizimit të dhjetëra sosh.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Kombeve të Bashkuara shpalli javën e kaluar pushtimin izraelit dhe kolonizimin e Bregut Perëndimor të jashtëligjshëm. Në të njëjtën kohë, parlamenti izraelit votoi për të kundërshtuar krijimin e shtetit palestinez në këtë territor.

Kundërshtarët izraelitë të politikës së zgjerimit të kolonive thonë se prania e 500,000 kolonëve hebre në Bregun Perëndimor dhe 200,000 në Jerusalemin lindor ka pasoja afatgjata. Njëri prej tyre është drejtori i organizatës “Paqe Tani” (Peace Now), që kundërshton kolonitë.

“Kjo qeveri izraelite nuk do të lejojë krijimin e një shteti palestinez. Ata duan t’i aneksojnë këto territore dhe, sipas qeverisë, palestinezët do të vazhdojnë të jenë nën pushtim dhe izraelitët do të vazhdojnë të jenë pushtuesit”, thotë drejtori Lior Amihai.

Disa nga pjesëtarët e vijës ekstreme në qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu po bëjnë thirrje për aneksimin e 60 për qind të territorit të Bregut Perëndimor, që kontrollohet nga Izraeli. Ata thonë se duan të sigurohen që Izraeli të mos detyrohet kurrë të tërhiqet nga Bregu Perëndimor në të ardhmen.