Ivana Ginovska drejtoreshë e re e Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor

Drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, zyrtarisht është emëruar Ivana Ginovska nga Kumanova. Ginovska ka lindur në Shkup në vitin 1989 dhe ka diplomë master në shkencat ekonomike, me specializim në menaxhment marketing, transmeton Portalb.mk.

Përvojën profesionale e ka filluar si nëpunëse bankare, ndërsa më vonë ka vazhduar të punojë në Shtëpinë e të moshuarve “Zafir Saito” në Kumanovë, si dhe në NP “Parkingu Kumanovë”. Është anëtare e Bordit Drejtues të Ndërmarrjes së Përbashkët Publike për Menaxhimin e Mbeturinave “Eko Istok – Severostok”.

Në kuadër të zgjedhjeve të fundit parlamentare, Ginovska ishte kandidate për deputete në njësinë zgjedhore 2 në listën e Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë tonë. Ajo u emërua në pozitën e drejtoreshës nga Qeveria, duke e zëvendësuar drejtorin e mëparshëm Sreten Stojkovski.

Kujtojmë se seancën e 3 shtatorit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndër të tjera u bë edhe emërimi i drejtorëve të rinj në disa institucione të tjera shtetërore.

Ivica Bocevski do të jetë përfaqësuesi special i Qeverisë së RMV-së në kryesimin hungarez me Këshillin e Bashkimit Evropian.

Jeton Suma u emërua drejtor i Shërbimit për sistemin hapësinor dhe informativ.

Pece Stojkovski u emërua ushtrues detyre në pozitën e drejtorit të Agjencisë për nxitjen e zhvillimit të bujqësisë – Manastir, ndërsa Erol Abdiu në këtë institucion u emërua u.d. zëvendësdrejtor.

Blerim Sulejamni u emërua u.d. zëvendësdrejtor në Drejtorinë për zonat zhvillimore industriale teknologjike, ndërsa Kashmir Saliu te Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim.

Ushtrues detyre në pozitën e drejtorit në Drejtorinë për shëndetësi elektronike u emërua Fikret Shabani.

Zoran Pejkovski do të jetë drejtor i Qendrës informative kulturore të RMV-së në Sofje.

U.d. zëvendësdrejtor i Burgut të Shkupit do të jetë Afrim Idrizi, ndërsa Biljana Stefanoska do të jetë u.d. drejtor në Agjencinë për promovimin dhe mbështetjen e turizmit.

Ndryshe, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut në krye me Hristijan Mickoskin deri më tani ka emëruar disa emra të rinj në krye të institucioneve shtetërore, si pjesë e shkallës së tretë të pushtetit ekzekutiv.