Italia dhe Spanja angazhuan marinën për të mbrojtur flotën civile në Gaza

Me vendime të veçanta, Spanja dhe Italia njoftuan dërgimin e anijeve të marinës për të asistuar flotën me ndihma për popullin në Gaza, që synon të përçajë bllokadën e Izraelit dhe të shpërndajë ushqimet, raporton Euronews.

Vendimet e mara në Romë dhe Madrid janë një përgjigje ndaj sulmit që iu bë flotës së 10 anijeve, me aktivistët që raportuan 13 shpërthime dhe lëshimin e objekteve të paidentifikuara nga një skuadrilje dronësh.

Qeveria italiane e dënoi sulmin e kryer dhe dërgoi fregatën “Fasan” për të asistuar anijet e vogla me shtetas italianë që po marrin pjesë në nismën e dërgimit të ndihmave në Gaza. Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto deklaroi se Roma zyrtare e informoi shtetin hebre për vendimin e saj.

Ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni dënoi sulmin ndaj flotës, por e cilësoi nismën e aktivistëve “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”. Ajo propozoi një plan për dorëzimin e ndihmave Qipros dhe Patriarkatit Latin të Jerusalemit, që më pas do të kujdesen për shpërndarjen e tyre.

Në të njëjtën mënyrë, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi angazhimin e një anijeje-patrullë, të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme, për të mbrojtur dhe asistuar flotën.

“Qeveria spanjolle kërkon që të zbatohet ligji ndërkombëtar dhe që qytetarëve tanë t’u garantohet e drejta për të lundruar të sigurt në Mesdhe”, deklaroi Sanchez.

Izraeli ka përsëritur vazhdimisht se nuk do ta lejojë flotën që të arrijë Rripin e Gazës, duke pretenduar, pa dhënë prova, se ajo është organizuar nga lëvizja islamike e Hamasit.

Flota humanitare planifikohet që brenda 7 ditëve do të arrijë në Gazë, në enklavën e rrethuar nga Izraeli.