Instituti Nacional Demokratik festoi përvjetorin e 40-të, dy deputete morën çmime

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Instituti Nacional Demokratik festoi përvjetorin e 40-të dhe organizoi diskutim mbi demokracinë me partnerët demokratikë nga shoqëria civile, pushtetin qendror dhe lokal, partitë politike, mediat dhe komunitetin ndërkombëtar. Në vazhdë të angazhimit që ndërmerr për të eliminuar pashtetësinë në Maqedoninë e Veriut, NDI ka përgëzuar arritjet e Komisionit të Kuvendit për Sistem Politik dhe Marrëdhënië mes Bashkësive dhe Grupit Parlamentar ndërpartiak të Romëve me çmimin e Ditës së Demokracicsë 2023, transmeton Portalb.mk.

Deputetet Sonja Mirakovska dhe Latife Shikovska pranuan çmimet në emër të Komisionit për Sisteme Politike dhe Grupit Parlamentar të Romëve.

“NDI e përfytyron botën si një vend ku sundon demokracia dhe liria, me dinjitet dhe barazi për të gjithë, dhe angazhimet ndërpartiake të deputetëve për t’i dhënë fund pashtetësisë për mbi 700 romë janë shëmbëlltyrë e këtij vizioni që ka Instituti,” theksoi Robert Skot Hejzlet, Drejtor i Lartë i NDI në Maqedoninë e Veriut.

Për të kuptuar më mirë ndikimin që pashtetësia e ka tek njerëzit, personat e dekoruar me çmimin e Demokracisë për vitin 2023 bënë shqyrtime parlamentare dhe monitorim për të mësuar më mirë se si mungesa e dokumenteve, koordinimit ndërinstitucional dhe zbrazëtirat në kornizën ligjore shkelin rendë të drejtat, liritë dhe qasjen tek shërbimet.

Pas kësaj, deputetët punuan me konsensus shumëpartiak për të bërë ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve të vendit për të hapur rrugën drejt marrjes së shtetësisë.

Në Ditën e Demokracisë poashtu kishte diskutime paneli mbi barazinë gjinore dhe lidhur me atë se si transparenca institucionale dhe llogaridhënia mund të luftojnë korrupsionin. Panelistët ishin nga institucionet shtetërore, shoqëria civile, ambasada e Suedisë dhe ajo e Zvicrës.

NDI është organizatë jofitimprurëse, jopartiake që vepron në partneritet në mbarë botën për të forcuar dhe mbrojtur institucionet, proceset, normat, dhe vlerat demokratike për të siguruar cilësi më të madhe të jetës për të gjithë. Që nga viti 1993, NDI dhe partnerët e vendit në Maqedoninë e Veriut bashkëpunojnë për të krijuar dhe forcuar organizata politike dhe qytetare, për të mbrojtur zgjedhjet, dhe për të promovuar pjesëmarrjen qytetare, transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit.