IMM shpalli konkursin për çmimin e gazetarisë “Nikolla Mlladenov 2023”

Instituti Maqedonas për Media shpall konkursin për çmimet e gazetarisë “Nikola Mlladenov 2023”. Çmimet do të jepen në kategoritë: Historia më e mirë investigative – çmimi i parë, i dytë dhe i tretë, Produkti më inovativ gazetaresk (një çmim), Fotografia më e mirë (një çmim), transmeton Portalb.mk.

Në konkurs mund të aplikojnë të gjithë gazetarët dhe fotoreporterët që punojnë profesionalisht në media ose bashkëpunojnë me to si profesionistë të lirë.

Materialet e raportuara duhet të jenë të publikuara gjatë vitit 2023 në ndonjë gazetë, radio, televizion, në portalet informative të internetit ose nga agjenci lajmesh të regjistruara dhe që operojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Një autor ose një grup autorësh mund të aplikojë me deri në 3 tema të ndryshme në dy kategoritë e para, dhe secila temë mund të përfshijë shumë tekste/kronika të lidhura.

Çdo fotoreporter mund të marrë pjesë me maksimum 3 foto, të cilat janë publikuar në një gazetë, portal interneti ose në një agjenci lajmesh. Në konkurs janë të pranueshme edhe fotot e publikuara në mediat e huaja, por ato duhet t’i referohen temave dhe ngjarjeve me peshë/rëndësi gazetareske që kanë shënuar vitin e kaluar (2023) në Maqedoninë e Veriut.

Konkursi është i hapur deri më 26 shkurt 2024.

Kujtojmë se dje Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ndau çmimet për vitin 2023 për storje gazetareske me temë: “Përballja me ndotjen e ajrit në Maqedoninë e Veriut”.