IDSC publikoi dokumentin për fokusin e Kuvendit të RMV-së në luftën kundër korrupsionit

Instituti për Demokraci Societas Civilis, publikoi dokumentin forsajt analizë për identifikimin në kohë të rreziqeve të mundshme dhe tendencave të ardhshme në një sferë të veçantë të shoqërisë. Në kontekstin e luftës kundër korrupsionit, Forsajt analiza për sfidat e ardhshme dhe aktuale të korrupsionit parashikon se në cilin drejtim do të lëvizë korrupsioni dhe lufta kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, në këtë rast deri në vitin 2030, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi i saj është të zhvillojë një debat mbi problemet me të cilat do të përballen institucionet në të ardhmen e afërt, duke nënvizuar rëndësinë e njohjes së hershme të rreziqeve dhe nevojën për planifikim strategjik në kohë, të luftës në këtë fushë.

Në vitin 2024, është e rëndësishme të merret në konsideratë analiza në kontekstin e kushteve aktuale dhe në çfarë duhet të përqendrohet përbërja e re parlamentare për të arritur një klimë të favorshme për luftën kundër korrupsionit:

  • Legjislacioni cilësor dhe mbikëqyrja e zgjeruar në sektorët e rrezikshëm: Ka fusha si sektori i energjisë që po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara kohët e fundit dhe ku qarkullojnë gjithnjë e më shumë para, veçanërisht në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe nxjerrjes së lëndëve të para mineraleve. Në këto fusha, është veçanërisht e rëndësishme që deputetët të jenë vigjilentë dhe të marrin vendime që janë analizuar dhe studiuar në detaje;
  • Krijimi i rezistencës institucionale: Rezistenca e institucioneve ndaj presionit politik është pjesë e rëndësishme e luftës kundër korrupsionit. Paralelisht me miratimin e ligjeve të mira, Kuvendi duhet të përpiqet sa më shumë që të jetë e mundur për të mbështetur aspiratën e institucioneve antikorrupsion për të ndërtuar rezistencë institucionale, por edhe për t’u siguruar atyre kushte të favorshme për efikasitet në përmbushjen e kompetencave në luftën kundër korrupsionit;
  • Tërheqja dhe mbajtja e stafit cilësor në sektorin publik: Burimet njerëzore cilësore në institucionet antikorrupsion janë nxitësi kryesor i luftës kundër korrupsionit. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të jetë i hapur për alokim më të madh të burimeve financiare për institucionet më të prekura nga mungesa e stafit cilësor. Institucionet e tilla, nga ana tjetër, duhet të përgatisin një plan afatgjatë që do të tërheqë, përgatisë dhe mbajë staf që do t’i rezistojë presionit të punësimit më tërheqës në sektorin privat ose jashtë vendit;
  • Mbrojtja e aktorëve të përfshirë në luftën kundër korrupsionit: Pas marrëveshjeve korruptive shpesh qëndrojnë grupet e organizuara kriminale që përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë e aktorëve anti-korrupsion. Nëse lufta kundër korrupsionit përparon, kështu do të jenë rriten edhe këto rreziqe. Është e rëndësishme që Kuvendi të njohë nevojën për të investuar në mbrojtjen ligjore dhe teknike të të gjithë aktorëve nën rrezik të vazhdueshëm, duke garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre;

Përgjegjësia qendrore për reformat e nevojshme, përveç Qeverisë, i takon Kuvendit, i cili përmes mbikëqyrjes cilësore pritet të jetë korrigjues i vazhdueshëm i punës së institucioneve, duke vendosur synime dhe pritshmëri të qarta për sukses në luftën kundër korrupsionit.

Gjatë vitit 2022, Instituti për Demokraci “Societas Civilis” organizoi një sërë punëtorish me KSHPK-në, EShR-në, Drejtorinë Doganore, Policinë Financiare, Komisionin Rregullator për Energjitë dhe Shërbime Ujore, Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Këshillin Inspektues, përfaqësues nga IRI dhe organizatat e shoqërisë civile nga Platforma Kundër Korrupsionit, të cilat rezultuan në të ashtuquajturën Forsajt analizë për sfidat e ardhshme në fushën e antikorrupsionit.

Kujtojmë se në dokumentin paraprak të Institutit për Demokraci Societas Civilis me titull “Cilat rreziqe nga korrupsioni duhet të merren parasysh në Ministrinë e re të Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale“, u paralajmërua se me ndryshimet e fundit në Ligjin për organizimin dhe funksionimin e organeve shtetërore, ministritë e reja do të jenë të ndjeshme ndaj rrezikut t paraqitjes së korrupsionit.