“I burgosuri i katit të 15”, shfaqja që flet për hallet e përditshme, u mbajt premierë në Tetovë

Mbrëmë u dha premiera e shfaqjes teatrale “I burgosuri i katit të 15”, me tekst të autorit Nil Simon dhe nën regjinë e Fitim Selimit. Kjo tragjikomedi, e interpretuar nga aktorët Burhan Amiti dhe Sanije Bekteshi, solli para publikut tetovar një rrëfim të fuqishëm artistik, që pasqyron në mënyrë të drejtpërdrejtë problemet aktuale të shoqërisë sonë. Në qendër të veprës qëndron çështja e punësimit, e trajtuar në një realitet ku politika paraqitet si dirigjuese e çdo sfere të jetës shoqërore, shkruan Portalb.mk.

Fitim Selimi regjisor i shfaqjes “I burgosuri i katit të 15” për Portalb.mk tha se publiku e priti ngrohtësisht shfaqjen në natën e premierës dhe u largua i kënaqur nga salla.

“Publiku e priti ngrohtësisht shfaqjen në natën e premierës dhe u largua i kënaqur nga salla. Gjatë shfaqjes nuk munguan as të qeshurat dhe as momentet prekëse, çka dëshmon lidhjen e fortë emocionale mes veprës dhe spektatorëve. Përmes situatave të sjella në skenë, publiku e kuptoi qartë edhe arsyen pse të rinjtë dhe të moshuarit po largohen nga vendi, si pasojë e mungesës së punësimit të ndershëm, ndikimit politik dhe punësimeve partiake. Për shkak të mungesës së perspektivës në vendin e tyre, shumë qytetarë po detyrohen të largohen nga shteti, duke e parë emigrimin si të vetmen zgjidhje për një jetë më të denjë”, tha Selimi.

Foto nga shfaqja “I burgosuri i katit të 15”. Foto: Fitim Selimi
Foto nga shfaqja “I burgosuri i katit të 15”. Foto: Fitim Selimi

Ai shtoi se vepra ofron një pasqyrë kritike mbi ndikimin e krizave shoqërore në jetën private dhe marëdhëniet njerëzore.

““I burgosuri i katit të 15” trajton krizën e një çifti martesor vjen në skenë duke reflektuar realitete të njohura sociale dhe ekonomike. Pas humbjes së vendeve të punës, dy bashkëshortët përballen me vështirësi që ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhënien e tyre, duke nxjerrë në pah tensione, përplasje dhe xhelozi, të ndërtuara mes dramës dhe komikes. Përmes një loje intensive dy-aktoriale, shfaqja krijon një paralelizëm të qartë me realitetin politik dhe social të shoqërisë sonë, duke i dhënë mundësi publikut të identifikohet me situata dhe dilema të përditshme. Vepra ofron një pasqyrë kritike mbi ndikimin e krizave shoqërore në jetën private dhe marrëdhëniet njerëzore”, tha Selimi.

Foto nga shfaqja “I burgosuri i katit të 15”. Foto: Fitim Selimi
Foto nga shfaqja “I burgosuri i katit të 15”. Foto: Fitim Selimi

Për të gjithë ata që nuk mund ta ndoqën premierën mbrëmë, reprizën mund ta shohin me datë 24 dhjetor.

Shfaqja “I burgosuri i katit të 15-të” është projekt i Teatrit Alternativ Feniks, dhe është mbeshtetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të RMV-së.