Humbi jetën nxënësja e plagosur në të shtënat në Beograd

Në Klinikën e Fëmijëve në Tirshova të Beogradit, një vajzë që ishte plagosur gjatë sulmit me armë zjarri në shkollën fillore “Vlladisllav Ribnikar”, ka vdekur, transmeton Radio Evropa e Lirë

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë për televizionin publik serb.

Vajza kishte pësuar lëndime serioze gjatë të shtënave masive që ndodhën më 3 maj në shkollën në Beograd.

Tetë nxënës dhe roja e sigurimit u vranë gjatë sulmit me armë zjarri, që u krye nga një djalë 13 vjeç.

Me vdekjen e nxënëses që ishte e hospitalizuar, numri i viktimave nga ky rast arrin në dhjetë.

Kujtojmë që  më 3 maj, një nxënës në një Shkollë në Beograd qëlloi dhe vrau tetë nxënës dhe një roje shkolle, ndërsa një mësuese dhe gjashtë nxënës u plagosën, mes tyre edhe vajza që ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.