Hulumtim: As gjyqtarët dhe prokurorët e RMV-së nuk i besojnë sistemit të drejtësisë

Rrëfimet dhe përvojat e dorës së parë të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë në thelb të Vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, i përgatitur nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky Vlerësim, i publikuar sot me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, hedh dritë mbi rreziqet dhe dobësitë që pengojnë dhënien e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Vlerësimi shqyrton rreziqet e jashtme dhe të brendshme të korrupsionit, të cilat përbëjnë kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë. Publikimi u përgatit në bashkëpunim me Shoqatën e Gjyqtarëve dhe Shoqatën e Prokurorëve Publikë, të cilët ndihmuan që gati gjysma e anëtarëve të tyre të merrnin pjesë në procesin e vlerësimit.

“Përmes zërave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe përvojave të tyre personale, ky vlerësim sfidon status quo-në. Ai nuk është thjesht një dokument – ai është një katalizator për ndryshim. Është një thirrje për veprim, duke na nxitur të përpiqemi për një gjyqësor që mbështet parimet e drejtësisë, pavarësisë dhe llogaridhënies. Është detyra jonë kolektive të sigurojmë që institucionet publike të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe të forcojnë shtyllat e demokracisë dhe sundimit të ligjit,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl në promovimin e këtij publikimi.

“Akuzat për korrupsion janë të shumta. Anekdotat e ndikimit të padrejtë në sektorin e drejtësisë janë reale dhe të shumta. Kjo nuk është koha për “biznes si zakonisht”; kjo është një kohë për hapa dhe veprime të guximshme. Për të drejtuar më së miri burimet kolektive, le të shohim se çfarë na thonë të dhënat dhe le të punojmë së bashku për të luftuar korrupsionin që ekziston, si dhe për të eliminuar rreziqet që ai paraqet në gjyqësor”, tha Eric Meyer, Zëvendës Shefi i Misionit në Ambasadën Amerikane në Shkup.

Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, tha se të gjeturat e Vlerësimit do të përcillen me rekomandime konkrete të politikave për të shoqëruar dokumentet kryesore strategjike të vendit lidhur me gjyqësorin.

Ajo u bëri thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve që t’i përdorin këto gjetje për të përmirësuar integritetin e institucioneve të tyre përkatëse.

“Bashkëpunimi me Misionin e OSBE-së në Shkup prej vitesh rezultoi në aktivitete të shumta, me shumë dokumente të përpiluara, hulumtime dhe rekomandime, që synonin përmirësimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë. Vlerësimi është pjesë e këtij bashkëpunimi dhe shpresoj se do të kontribuojë ndjeshëm në zbatimin e mekanizmave ligjorë për një gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe të hapur, si parakusht për ngritjen e besimit të publikut”, tha gjyqtari Xhemali Saiti, kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Maqedonisë së Veriut.

Elvin Veli, kryetar i Shoqatës së Prokurorëve Publik, tha se integriteti personal i prokurorëve publik është mjeti më i rëndësishëm për heqjen e çdo ndikimi në procedurë.

“Të gjitha institucionet gjyqësore janë të ndërlidhura dhe rezultate efikase mund të arrihen vetëm nëse secili prej nesh investon personalisht dhe bën përpjekje maksimale për të ngritur standardet dhe etikën gjatë procesimit të rasteve”, shtoi ai.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, të cilin e përpilon çdo vit organizata Transparency International, këtë vit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85-të, nga 180 vende sa janë në listë, një pozitë më lart në krahasim me vitin e kaluar.

Edhe pse ka qenë pjesë e programeve partiake të të gjitha partive politike, korrupsioni në Maqedoninë e Veriut sipas të gjitha indikacioneve vazhdon të “lulëzojë”. Se korrupsioni nuk është luftuar mjaftueshëm edhe nga kjo Qeveri edhe përkundër zotimeve të shumta, këtë e konfirmoi edhe raporti i fundit i Transparency International.

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 qytetarët i besuan më së shumti Armatës. Nga ana tjetër, gjyqësori mbeti në fund, konstatoi hulumtimi i “Eurometer” për vitin 2022, i cili u prezantua nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink. Edhe në vitin 2022 më së paku besim nga qytetarët ka gjyqësori, vetëm 6 përqind, ndërsa këtu është edhe prokuroria me 7 përqind.

Kujtojmë se ambasadori holandez në vend, Dirk Jan Kopp, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, vlerësoi se Qeveria nuk po bën progres në luftën kundër korrupsionit, por se gjërat po përkeqësohen.

Lidhur me besimin e qytetarëve në drejtësi, Kopp vlerësoi se pas turbullirave në Këshillin Gjyqësor për shkarkimin e kryetares Vesna Dameva, ky organ nuk është më legjitim. Për shkak të atij precedenti, tha Kopp, Holanda vuri në pushim një projekt të madh në lidhje me Këshillin Gjyqësor.

Kujtojmë se më 26 prill të këtij viti u shkarkua Vesna Dameva nga funksioni kryetare e Këshillit Gjyqësor.  Zëvendësi i saj, Selim Ademi, i cili pas zënkave që kanë zgjatur disa orë dhe pasi Dameva refuzoi ta vendos në votim pikën e cila nuk ishte në rend dite, ai e hodhi propozimin në votim. Shtatë anëtarë e mbështetën zëvendësin, i cili e mori udhëheqjen e seancës në prani të saj.

Edhe pse në ligj nuk është paraparë mënyrë për shkakrim të kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi për Portalb.mk elaboroi se bëhej fjalë për votim me shumicë dhe se gjithçka që nuk është e ndaluar me ligj, është e lejuar.

Më 4 maj të këtij viti për kryetar të ri të Këshillit Gjyqësor u zgjodh Sashko Georgiev.

Më 19 maj të këtij viti, Dameva informoi se ka dorëzuar padi deri te Gjykata Administrative dhe padi penale te Prokuroria Themelore Publike për shkarkimin e saj. 

LEXO: RMV, gjërat po përkeqësohen, nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit, vlerëson ambasadori Kop

LEXO: Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të zhgënjyer nga polarizimi i elitave politike