Hollivudi i shëruar nga racizmi? Lily Gladstone indigjenia e parë e shpërblyer me çmimin “Golden Globes”

Këto ditë përflitet shumë aktorja indigjene Lily Gladstone e cila foli në gjuhën e saj në ndarjen e çmimeve “Golden Globes” dhe u bë shembull për krejt të rinjtë indigjenë se historia ndryshon dhe se paragjykimet janë zbutur, njofton Portalb.mk.

Fotografi nga faqja e '' Golden Globe''
Lily Gladstone. Fotografi nga faqja e ”Golden Globes

Nëse keni pasur averzion ndaj ‘’indianëve’’, kujtoni se nga ju kanë ardhur? Kush ju ka bërë të mendoni se indianët janë njerëz të pacivilizuar që jetojnë në xhungël. Tarzani? Mogli? Janë me qindra filma të cilët kanë ushqyer stereotipa të rreme mbi historikun, identitetin dhe mënyrën e jetesës së indianëve të Amerikës që kanë qenë pjesë e agjendave politike dhe automatikisht edhe e Hollivudit. Madje në shumë filma ku është dashur të jenë në role kryesore, gjithnjë janë zëvendësuar nga aktorë të bardhë të cilët kanë pranuar të jenë pjesë e shtrembërimit të realitetit. Kjo është edhe arsyeja ndoshta pse ju vetëm tani mund të përmendni Lili Gladstone si e para aktore që njihni që ka bërë një rol të shkëlqyer në filmin e Martin Scorceses “Killers of the Flower Moon“.

Kohëve të fundit paragjykimet po rrënohen, sidomos me disa filma që u bënë në vitin 2022/23 te të cilët indianët paraqiten si njerëz të cilëve të bardhë u morën gjithçka. Përjashtohet këtu filmi “Tár” ku fundi ngjalli debat dhe aludon sërish për racizëm. Scorcese e ka bazuar filmin e tij në një ngjarje të vërtetë krimi që e kanë ushtruar të bardhët për tu pasuruar nga nafta, për këtë film thonë se është më i miri i kësaj dekade. Përveç këtij fakti, Scorcese do të mbahet mend për filmin dhe rolin që i dha çmimin e parë “Golden Globes” një aktores indigjene. Fjalimi i aktores gjatë pranimit të çmimit ishte në gjuhën e nënës dhe dha një mesazh të fuqishëm për krejt komunitetin  e saj, për ata që dëshirojnë ta dëgjojnë fjalimin e gjeni KËTU.

Kur Marlon Brando refuzoi ”Oskarin” sepse shtëpitë filmike ende nuk i nxirrnin nga xhungla indianët  

Kauzës për çlirimin e industrisë filmike nga stereotipat për indianët iu bashkëngjit edhe legjenda e aktrimit, aktori Marlon Brando në vitin 1973 . Ai bëri një gjest që ngeli në historikun e çmimeve Oskar. Brandoja refuzoi çmimin e tij “Oscar” për aktorin më të mirë për rolin e tij në “The Godfather” si një formë proteste kundër trajtimit të Hollivudit ndaj amerikanëve indigjen. Brando ishte një përkrahës i Lëvizjes Indiane Amerikane dhe ishte i shqetësuar për mënyrën se si indianët po portretizoheshin në media. Brando nuk u paraqit fare në ndarjen e çmimeve, në vend të tij ai dërgoi Sacheen Littlefeatherin, një aktiviste indiane që sqaroi pse Brandoja nuk ndodhet aty dhe pse e refuzon Oskarin.

Ajo foli për betejat e vazhdueshme të indianëve vendas dhe lexoi një letër nga Brandoja, në të cilën ai kritikonte portretizimin e indianëve në  industrinë e filmit si  të pacivilizuar dhe si njerëz për tu tallur. Kjo formë e protestës u kritikua nga disa, por që atëherë e deri më sot ndërgjegjësimi ka shkuar duke u rritur. Shtëpia filmike “Walt Disney” ka qenë më së shumti e akuzuar për racizëm në filmat që ka bërë. Madje, ende ka njerëz që indianët nuk mund t’i konceptojnë si amerikanë vendas ashtu si edhe quhen ‘’nativ americans’’. Ashtu si industria filmike ka krijuar streotipe, paragjykime raciste, të njëjtat kohëve të fundit ka filluar t’i rënojë dhe thoni pastaj se filmat nuk janë të rëndësishëm!