Hetimi për vrasjen e dyfishtë në Shqipëri zgjerohet në Maqedoni, një i arrestuar për drogë në Prilep ka kontaktur me të vrarët

Prokuroria e Korçës, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Martin dhe Andrea Olldashi, e zgjeroi hetimin edhe në Maqedoninë e Veriut, raportojnë mediat nga Shqipëria, transmeton Portalb.mk.

“Prokuroria i dërgoi letërporosi Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, në lidhje me kontrollimin e personit Flamur Dauti, i arrestuar për drogë në një fshat të Prilepit, në këtë vend. Më saktë, nga autoritetet e atjeshme kërkohet të lejohet marrja në pyetje e të burgosurit Dauti, me të cilin kanë pasur kontakt viktimat. Përgjigjia pozitie e autoriteteve maqedonase do t’i ndihmonte drejtësisë në hetimin për vrasjen e dyfishtë, për të cilën ende nuk ka autorë”, theksojnë mediat.

Vrasja e dyfishtë ka ndodhur në dhjetor 2020 në fshatin Shqitas, bashkia Maliq, ndërsa sipas hetimeve, vëllezërit pasi janë ekzekutur trupat e tyre janë gjuajtur në kanal.

Sipas informatave, vëllezërit Olldashi janë rrëmbyer, më pas janë vrarë me nga dy plumba pas koke me armë  “Zastava”.

“Përmes njohurive operative bëhet e njohur se dy vëllezërit Martin dhe Andrea Olldashi, janë marrë me aktivitete kriminele nga fusha e narkotikëve, fajdes, vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës me mjete eksplozive, si dhe ndihmës gjatë kalimit ilegal të kufirit. Ka baza të dyshimit se të vrarët dhe Dauti kanë bashkëpunuar së bashku në kontrabandë me drogë”, potencojnë mediat.

Dauti u arretua nga policia e Maqedonisë me 53 kilogramë marihuanë të cilën e importonte nga Shqipëria mbrëmjen e 8 dhjetorit 2020 kur, siç konstatoi autopsia, u vranë vëllezërit Olldashi në Shqipëri.