Haxhiu i mbështeti ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Vjosa Osmani
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar amendamentet kushtetuese të proceduara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, raporton ATV.
Përmes një njoftimi publik, Haxhiu ka theksuar se këto amendamente synojnë të shmangin ngërçet institucionale që lidhen me zgjedhjen e kreut të shtetit dhe të sigurojnë stabilitet më të madh institucional.
“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, thuhet në njoftimin e Haxhiut.
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli.