Goshe Nikollov nga Meta.mk është një nga fituesit e çmimit “Lajmëtari i të padukshmëve”

Gazetari i Meta.mk, Goshe Nikoлlov është një nga fituesit e çmimit “Lajmëtari i të padukshmëve” për vitin 2024, i ndarë nga Platforma Maqedonase Kundër Varfërisë (PMKV). Ai ka marrë çmimin për artikullin dhe videon PSE (NUK) ËSHTË ASHTU, me temë: Mitet dhe dezinformatat më të zakonshme për personat me aftësi të kufizuara, transmeton Portalb.mk.

Çmimet u ndanë mbrëmë në Kafe-librarinë “Bukva” në Shkup, ndërsa këtë vit ndahen për herë të shtatë.

 

Me rastin e ndarjes së çmimit, Nikollov fillimisht falënderoi personat me aftësi të kufizuara që morën pjesë në video dhe ekspozoi mitet dhe dezinformatat rreth tyre që mbizotërojnë në shoqërinë tonë. Bëhet fjalë për Beira Salifoska, Tomica Stojanovski dhe Elena Koçovska.

“Gjatë përpunimit të tregimit, këto mite nuk janë nxjerrë vetëm nga unë si gazetar, por kanë qenë objekt i hulumtimit të thellë të hapësirës maqedonase të internetit. Në të njëjtën kohë, pyetëm audiencën tonë se cilat mite dhe stereotipa për personat me aftësi të kufizuara kanë hasur në jetën e tyre dhe nxorëm ato që ishin më të përhapura. Më pas ua treguam atyre që ishin të përfshirë në histori për t’i komentuar”, tha Nikollov.

Siç shtoi ai, mund të konstatohet se mbizotërojnë mite të cilat nga disa mund të konsiderohen banale dhe absurde, por fatkeqësisht realiteti është i tillë.

“Në një shoqëri të mbyllur si ajo maqedonase, mbizotërojnë një sërë stereotipash, paragjykimesh dhe mitesh për kategori dhe grupe të ndryshme të qytetarëve. Ato jo vetëm që përjashtojnë ata që janë pjesë e diversitetit njerëzor, por në të njëjtën kohë paraqesin një pengesë reale në rrugën drejt përfshirjes dhe barazisë”, tha Nikollov.

Ai theksoi se PSE (NUK) ËSHTË ASHTU deri tani ka dhjetë episode dhe të gjithë flasin për mite dhe dezinformata për tema që sfidojnë pikëpamjet tradicionale dhe normat kulturore.

Qëllimi i çmimit është promovimi i gazetarisë që mbulon shumë aspekte të varfërisë dhe përjashtimit social, në të cilën respektohen qytetarët dhe dinjiteti i tyre, si dhe falënderimi për gazetarët që kujdesen të mos ndërtojnë stereotipe përmes informacionit të tyre dhe të cilët nuk udhëhiqen nga sensacionalizmi.

Përveç Nikollovit, fitues të sivjetmë të çmimit “Lajmëtari i të padukshmëve” janë Bjanka Stankoviq nga “Vidi Vaka” për tregimin “Mestruacionet vazhdojnë të jenë luks në Maqedoni”, Bojan Stojkovski nga creativevoice.mk për storjen “Jeta mizore në rrugë dhe shpresa për shansin e dytë”, Mirjana Mirçevska Jovanoviq nga TV Kanal 5 për “Reagimet pas heqjes së shtesës deri në 6000 denarë për disa fëmijë me sindromën Down”, Mihail Milloshevski nga “360 gradë” për “Në këpucët” e personave me aftësi të kufizuar – betejë e përditshme për të hyrë në shtëpi, në autobus, madje edhe te mjeku”, Teodora Cvetkovska – “Anekta 010 – Bojan Shashevski” dhe Toni Aitovski nga lokalaktiv.mk për “Mërgimtarë maqedonas në Itali nuk mund të ushtrojnë të drejtën e pensionit, pas më shumë se dy vjetësh”.