Gjithçka që dihet për shpërthimin në Ujman

Pasditen e së dielës, një shpërthim i një granate dore në afërsi të Liqenit të Ujmanit, ka shkaktuar shqetësime të mëdha për sigurinë dhe stabilitetin në veri të Kosovës, transmeton TV21.

Si rrjedhojë e këtij shpërthimi nuk pati të lënduar por vetëm dëme materiale në dy vetura njëra me targa vendore, ndërsa tjera amerikane.

Hetimet lidhur me shpërthimin që ndodhi dje në afërsi të Liqenit të Ujmanit, po vazhdojnë.

Në kuadër të kësaj, policia ka bastisur një shtëpi në Zubin Potok.

Kështu tha për portalin rtv21.tv zëvendësdrejtori rajonal i policisë për veriun, Veton Elshani.

Elshani tha se gjatë bastisjes janë konfiskuar tre radiolidhje dhe një veturë.

Ai po ashtu njoftoi se policia e ka identifikuar një person të dyshimtë.

“Nuk kemi persona të arrestuar, ndërsa policia ka identifikuar një person i cili për neve është me interes për intervistim”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj shpërthimit në veri.

Ai ka theksuar se “Serbia dhe qarqe të caktuara mike të saj nuk e dëshirojnë normalitetin e krijuar në atë pjesë të vendit tonë.”

Kurti shtoi se ky akt është një përpjekje për të destabilizuar situatën dhe për të krijuar tensione në rajon.

“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme. Por, rrugë tjetër nuk ka. Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka reaguar pas shpërthimit te Liqeni i Ujmanit. Ai ka deklaruar se nuk ka vend për panik dhe se situata është nën kontroll.

“Uroj që së shpejti të kapen aktorët e këtij shpërthimi dhe të sillen para organeve të drejtësisë. Gjithashtu besoj që nuk ka vend për panik përderisa gjendja është nën kontrollin e plotë të organeve të rendit të Policisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Zeqiri.